(Fjalë në Akademinë Solemne me rastin e manifestimeve “Epopeja e UÇK-së”,Prishtinë,Amfiteatri i Fakultetit Filologjik,6 mars 2001) 

Sot bëjmë më shumë se një nderim të zakonshëm për ata që ranë për lirinë dhe nderimi për ta është nderim për kombin të cilit i takojmë. Sot bëjmë më shumë se një nderim të zakonshëm për Jasharajt dhe nderimi për ta është nderim për lirinë.Sot shqiptarët përkulen para varreve të dëshmorëve të kombit,duke përkujtuar historinë e tyre të re,të përshkuar me trimëri dhe sakrificë…

 

Ushtria Çlirimtare e Kosovës doli në skenë kur shqiptarët ende shikoheshin para pasqyrës se çfarë të zgjidhnin:ndërmjet robërisë së re dhe mobilizimit kombëtar për liri.Me krijimin e saj,perëndoi koha kur thuhej se”Serbia ka forcë,por nuk ka popull,për ta mbështetur insistimin që Kosova të mbetet në Serbi,ndërsa Kosova ka popull,por nuk ka forcë,për ta jetësuar pavarësinë e saj”…Dhe,ishte pikërisht Adem Jashari dhe shokët më besnikë të tij që kishin vendosur t’ia kthejnë pushkën policisë serbe,”e cila kishtë vënë nën kontroll gjithë jetën në Kosovë”.Si mos të ndodhte kështu,kur “ndjenja patriotike dhe ndjenja e sakrificës ishin kultivuar në mënyrë shembullore në Kullën e Jasharajve”,ku këndohej “Ma mirë n’dhe me u kja me mallë,se nën shkja me ndej për t’gjallë”…Liria ishte obsesion i Adem Jasharit,preokupim jetësor i tij.Ishte i pathyeshëm në bindjen se “vetëm lufta mund t’ia sjellë atë Kosovës”.

Adem Jashari ka jetuar në kohë të jashtëzakonshme për kombin e vet,prandaj edhe ka bërë angazhim të jashtëzakonshëm për ta mbrojtur identitetin dhe palcën kurrizore të tij,për t’i dalë zot  kombit të vet,vatanit të tij.Qëndresa e Adem Jasharit dhe heroizmi i tij  dhe i gjithë familjës së Jasharajve në Prekaz të Drenicës,të cilët u vranë “në mbrojtje të pragut e të nderit kombëtar,u bë shenjëzim për tipin e ri të luftëtarit popullor të kohëve moderne”.Me gjithë luftën,Kosova ende nuk është përfundimisht e çliruar.Prandaj,po më duket sikur Adem Jashari,me shikim të rrebtë,nën vetulla hijerënda,po na tërheq vërejtjen dhe po na bën pyetjen:ne fituam luftën,por ju kur do ta fitoni paqën?Në fytyrën e Adem Jasharit sikur po shprehet një shqetësim,do të thoja i themeltë,për gjendjen në të cilën jemi…Realiteti që na rrethon kërkon prej nesh  që ta ndryshojmë atë në favorin tonë.Duhet ta çojmë në shkallë më të lartë vetëdijën për të vepruar njeri me tjetrin dhe të gjithë së bashku për të mirën e kombit.Veprimet tona kërkojnë t’i bëjmë bashkë  trimërinë dhe diturinë,guximin dhe mendjen,formësimin politik dhe shkathtësinë diplomatike.Nuk duket racionale përherë ta fajësojmë historinë,ta fajësojmë Evropën,për padrejtësitë ndaj kombit tonë.Këto fajësime nuk janë kontestuese.

Pyetja që shtrohet sot është:kë do të fajësojmë për të tashmen?Ndiejmë nevojën,si për bukën dhe për ujin,për të vepruar të bashkuar sepse, më në fund,vetëm të bashkuar mund të bëhemi më të fuqishëm,vetëm të bashkuar mund të  ndihemi më të sigurtë dhe vëtëm të bashkuar mund të ndërtojmë një ardhmeni të ndritshme për kombin…Në fytyrën e Adem Jasharit po lexoj porosinë e tij:”Nuk kam luftuar për asnjë parti,por për flamurin kuq e zi”.