DUHET “TE ECIM” RRUGES SE CILES “I SHIHET FUNDI” -KOSOVA PO KALON NE CASTE TE “PRITJEVE TE MEDHA”   NE KOHEN E RENDIMENTEVE “ENDE TE VOGLA”--NUK KRIJOHET “MOZAIKU”VETEM ME “GURE NJENGJYRESH”

 1. Profesor Stavileci, si i vlerësoni rrjedhat aktuale politike në Kosovë?

 E.Stavileci:Varësisht se nga cili kënd i vështroj.”Ngjyrat” më paraqitën të ndryshme,nëse  rrjedhat i gjykoj nga këndi i“zërave  optimistë”të zyrtarëve vendorë dhe nga këndi i “zërave kërcënues”të ndërkombëtarëve.Rrjedhat janë ato “çfarë janë dhe  duhet të vlerësohen drejtë,pa paragjykime.Asnjerës palë “nuk i duhet vlerësimi” që nuk mbështetet në realitetin që po ndodhë me ne dhe për reth nesh.

Vetëm kuptimi i drejtë i realitetit mund “t’i kundërvihet”si iluzioneve të dëmshme,ashtu edhe vlerësimeve të gabuara.Një punë e kryer nuk bën të injorohet,por e vërteta flet se ka ngelë edhe  shumë punë për t’u bërë që rrjedhat të jenë përgjithësisht të kënaqshme.Kosova po kalon në çaste të “pritjeve të mëdha”në kohën e rendimenteve ende të vogla.Një gjë mund të thuhet pa ngurrim:gjendja e tashme dhe pozita e tashme,për mungesë statusi, nuk mund të qëndrojë gjatë dhe për këtë duhet të vetëdijësohen të dyja palët,edhe vendorët edhe ndërkombëtarët,përgjithësisht  zyrtarët nga “të dyja anë,të gjithë ata që “mendojnë politikisht”,që kanë “vizione”për të ardhmen e Kosovës dhe që “zotohen” se Kosovën “do t’a shpjenë në Evropë”.Kosova ”sillet në rreth të mbyllur”dhe përderisa nuk do të bëhen lëvizje për “t’a bërë”Kosovën,”përveç se me emër,edhe me mbiemër”,kërcënon rreziku që ajo të vazhdojë “të sillet brendapërbrenda rrethit”.

 

2. A mund të na flisni për rolin e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë në këta gjashtë vjet, veçanërisht për UNMIK-un, si mision civil? C’thotë UNMIK-u,bëjnë institucionet;ç’thonë institucionet,nuk bën UNMIK-u 

E.Stavileci: Padyshim se bashkësia ndërkombëtare në Kosovë pati një mision të rëndësishëm në periudhën e menjëhershme të pasluftës dhe e ndihmoi Kosovën që “t’a marrë vetën”.Kështu ishte edhe me UNMIK-un,si mision civil.Mirëpo,siç dihet,në Kosovë nuk “u vendos protektorati”në kuptimin që e njeh e drejta ndërkombëtare.Ky fakt bëri që mandati i UNMIK-ut të jetë i kufizuar brendapërbrenda një rezolute që “e mbylli”atë që do të duhej ta hapte:disajnimin e statusit të Kosovës mbi bazën e vullnetit të popullit.Për mua, qasja e vendosjes së “mbikëqyrjës ndërkombëtare”në Kosovë ishte e gabueshme,sepse “kryesisht”u bazua në përvojat e Bosnjës dhe sipas një logjike të realitetit në Bosnjë,mbështeti “logjikën e multietnisë”në Kosovë,pa përfillur realitetet demografike dhe etnike të saj,as në të kaluarën dhe as në të tashmen.Unë nuk angazhohem për moskujdesjen për liritë dhe të drejtat e pakicave dhe të grupeve etnike,por nuk jam dakord me “kushtëzimet”e pakicës që “i bëhen shumicës. Mbi “këtë formulë”,serbët “ushqejnë  shpresat”se  pa ta “asgjë nuk mund të ndodhë në Kosovë”,siç edhe,në fakt,po ngjan.Këtu duhet kërkuar arsyen pse ata nuk duan të jenë “pjesë e procesit”.Prandaj,shumë procese,përveç se për mungesë të statusit,mbahen të bllokuara,edhe për shkak të mosgatishmërisë së serbëve për të pranuar realitetet e reja të krijuara në Kosovë.Këtu duhet kërkuar edhe shkakun pse UNMIK-u po vonon “të mbyll”misionin në Kosoë,pse  “nuk po arrin” që atë ta shpjenë deri “në fund të rrugës”.Kjo rrugë do të jetë e mundimshme për derisa UNMIK-u nuk çlirohet nga presioni që Kosovën,me shumicë dominante shqiptare,  t’a shndërrojë   në “një mozaik nacional”, “i vetëdijshëm” se nuk mund “të ndërtohet mozaiku”me “gurë njëngjyrësh”.    Përndryshe,UNMIK-u ka vendosur një raport subordinimi ndaj institucioneve të Kosovës.Prandaj,”ç’thotë UNMIK-u bëjnë institucionet;ç’thonë institucionet, nuk bën UNMIK-u”. Nuk “ecin” bashkë “bartja e kompetencave”dhe “ndërhyrjet”e UNMIK-ut.Po qe se për një kohë më të gjatë vazhdohet me këtë “bashkëqeverisje”të UNMIK-ut dhe të institucioneve,Kosova do të bëjë “një hap para dhe dy hapa mbrapa”. 

3.Si e vlerësoni punën shtatëmujore të institucioneve të Kosovës, a po i kryejnë ato siç duhet detyrat e tyre?

E.Stavileci: Më së lehti është të përgjigjesh me Po ose Jo,me mirë ose të kundërtën.Nuk e mendoj se edhe brenda përbrenda institucioneve ka mendime se çdo punë që   është bërë në institucione është   bërë  në mënyrë  “të përkryer”.Nuk duhet të harrohet në asnjë moment se institucionet e Kosovës përballen me shumë kufizime të qeverisjes dhe nuk kanë gjithë hapësirën e veprimit që do të dëshironin ta kishin.Përndryshe,t’i bësh një vërejtje pushtetit është rrallë e mirëpritshme.Po t’i bësh një kritikë është neveritëse.Prandaj,thuhet se “pushteti është alergjik në kritikën” dhe se “sa më e ashpër që është kritika,alergjia bëhet më e madhe”.Mirëpo,nëse ato bëhen me qëllimin më të mirë duhet të mirëpritën,sikurse që duhet të mirëpritën të gjitha ato  kritika që kanë për qëllim ndërtimin,e jo rrënimin e tyre.Mendoj se në institucione do të duhej të kultivohej më shumë punë profesionale.Parakusht themelor për këtë është,sipas mendimit tim, vendosja e “njerëzve të duhur në vënde të duhura”.Kjo do të mund të arrihej nëse  punët  përpara se të ndaheshin  sipas partive,të ndahen sipas zotësive. Shprehur në mënyrën më përmbledhëse të mundshme,mendoj se Kosovës i duhet përgjithësisht një qeverisje më efektive që nënkupton një kuvend “më prodhues”,një qeveri “më e lëvizshme”,një gjyqësi “më e pavarur”dhe një administratë publike shoqërisht “më e pranueshme”.Për të “ndodhur përparime”,përveç të angazhimeve “të brendshme”,kërkohet bartje e plotë e autorizimeve në institucione dhe shndërrim i tyre prej institucioneve të përkohshme dhe të tjetërsuara prej UNMIK-ut në institucione të përhershme dhe të patjetërsueshme.Duhet “të ecim”rrugës së cilës “i shihet fundi”.


4.Cka do të duhej të bënin ndryshe dhe çka nuk do të duhej të bënin ato?

E.Stavileci: Së pari,do të sugjeroja se çka do të mund të bënin ndryshe.Përherë është më lehtë të thuhet se çka nuk do të duhej të bënin se të thuhet se çka do të duhej të bënin.Ajo që nuk do të duhej të bënin janë improvizimet,po sikurse që nuk do të duhej të “emitonin”jetën institucionale.Ajo që do të duhej të bënin është që të veprojnë  mbi bazë të programeve të hartuara profesionalisht,duke i përcaktuar bartësit e kryerjes së punëve,afatet dhe përgjegjësitë për moskryerjen e tyre.Do të duhej që të vilnin sa më shumë përvoja nga rajoni,por që njëkohësisht ato t’ia përshtatin  kushteve dhe rrethanave  të Kosovës.Nuk  e besoj që për këtë të mos kenë “menduar”në institucione.Përgjithësisht,do të duhej që të përmbushin vakuumin në mes të asaj që bëjnë dhe asaj që pretendojnë të bëjnë.Një këshillë për Qeverinë:nga më shumë role që i atribuohen qeverive në ekonomitë bashkëkohore,ajo do të mund të përqëndrohej veçanërisht në të qenët e saj, jo vetëm “rregullatore e ekonomisë”,por edhe “kreatore e politikës ekonomike”që krijon hapësirë për zhvillim. 

4. A mund të na e jepni një vlerësim për punën personale të kryetarit Ibrahim Rugova, kryeministrit Bajram Kosumi dhe kryetarit të Kuvendit Nexhat Daci?

E.Stavileci:Nuk më takon mua të bëj ato vlerësime.Ato mund t’i bëjnë dhe duhet t’i bëjnë institucionet dhe populli. 


5. Sa ishte i nevojshëm për Kosovën Forumi Politik dhe çka mendoni rreth rolit të tij? 

E.Stavileci:Nuk më ka ngazëllyer ideja e formimit të Forumit.Liderët kanë gëzuar mundësinë që të takohen edhe pa qenë ky një Forum. Përndryshe,çdo zhvendosje e politikës jashtë institucioneve nuk do të ishte në përputhje me parimet e demokracisë.Përveç kësaj,Kosova nuk ka përvoja të mira nga e kaluara,kur në vend se në institucione,është vendosur në forume’edhe pse “me të madhe”po thuhet” se Forumi nuk është “vendimmarërs”,por është këshillues.Eshtë e vërtetë se ka një ngathtësi të institucioneve,por zgjidhjen duhet kërkuar me vënjën në lëvizje të tyre,me kalimin e tyre në “lojë ofensive”,e jo me “zhvendosjen” e jetës institucionale në “binarë  joinstitucionalë”.   


6. A mund të na flisni për rolin e opozitës në Kosovë, ku është ajo sot? 

E.Stavileci:Ajo është në fazën e krijimit të identitetit.I mungojnë traditat dhe përvojat.Kërkon hapësirë për veprim ku shumëçka “është e mbyllur”,edhe për vet pozitën. Do t’i sugjeroja opozitës që të mos “merret shumë me pozitën”,por me ofrimin e projekteve konkurruese të avancojë procesin e qeverisjes dhe realizimet e saj.Për këtë duhet të jenë “të interesuara”të dyja palët.Do të dëshiroja që,në të mirë të Kosovës, “konkurrencën e inateve”,pavarësisht se nga vijnë,ta zëvendësonte konkurrenca e projekteve dhe programeve. 


7. Në Kosovë ka filluar procesi i decentralizimit, përmes të ashtuquajturave pilot-komuna. Kjo formë e decentralizimit që përfaqësohet nga Qeveria e Kosovës dhe përkrahet nga bashkësia ndërkombëtare dhe Beogradi, opozita thotë se çon në legjitimimin e kantonizimit të Kosovës dhe rrezikon ndarjen territoriale të saj në një fazë të mëvonshme. Në të vërtet, është ky reformim i pushtetit lokal apo legjitimim i enklavave serbe në Kosovës? “Vendosja e karrocës para kalit”  

E.Stavileci:Do të filloja me përgjigjen në pyetjen se ç’është,në të vërtetë,decentralizimi.Decentralizimi,në kuptimin më të përgjithshëm,do të thotë “dobësimin e ndikimit të qendrës në pjesët e saj”.Si nocion dhe si koncept,”kryqëzohet”me qeverisjen territoriale.Decentralizimi korrespondon me qeverisjen vendore dhe është segment përbërës dhe i rëndësishëm i saj.Qeverija vendore shihet si “degëzim i veprimit”të qeverisjes qendrore,me synim “kryerjen e efektshme të shërbimeve publike aty ku ato janë të nevojshme”. Projekti i decentralzimit në Kosovë “është menduar”që të jetë “në të mirë”të saj,me arsyetimin se nëpërmjet tij “do të bëhet integrimi i pakicave në institucione”.Mirëpo,kërcënon rreziku real që,po qe se njësitë e reja të qeverisjes vendore “mvishen në petkun etnik”që në vend se nga integrimi,të shpiejnë nga dezintegrimi dhe krijimi i hapësirës për “ndarje”dhe “nëndarje”të reja të Kosovës.Përndryshe,përpara se të vendoset një model i decentralizimit në Kosovë,duhet bërë studime empirike,duhet konsulltuar qytetarët të cilëve u referohet,në mënyrë që ai të jetë organizativisht  funksional,profesionalisht racional,shoqërisht i pranueshëm,ekonomikisht i përballueshëm, politikisht i përshtatshëm dhe para së gjithash,etnikisht i hapur.Ka edhe një problem me vendosjen e decentralizimit në Kosovë përpara se të vendoset statusi i saj.Kjo i ngjet sikur “të vendosni karrocën para kalit”.Nuk korrespondon me logjikën konstitucionale juridike që “të bartet”një pushtet ende i papërkufizuar si “pushtet qendror”.Prandaj,si mund të “depushtetëzohet”Kosova përpara se të jetë bërë “pushtetëzimi” i saj.   


8.Cila do të ishte forma më e mirë e decentralizimit në Kosovë?

E.Stavileci:Forma më e mirë e decentralizimit do të ishte  ajo të cilën do t’a  përzgjedhnin qytetarët e Kosovës për “të përfituar prej tij”.Nuk ka një model të gatshëm për Kosovën.Secili model që do të mund të huazohej do të duhej t’i përshtatej kushteve dhe rrethanave të Kosovës.Në përgjigjën e mësipërme janë “kornizat”e një modeli të mundshëm të decentralizimit në Kosovë. 


9.I dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, Kofi Ananit, Kai Eide, i cili do të bëjë vlerësimin e standardeve, ka hedhur kritika të ashpra në adresë të institucioneve të Kosovës sa i përket realizimit të standardeve. Gjithashtu as Grupi i Kontaktit nuk u nda i kënaqur me punën e këtyre institucioneve. A rrezikohet të ketë vlerësim negativ të standardeve dhe nga do ta çonte Kosovën një gjë e tillë? 

E.Stavileci:Unë kam një mendim ndryshe prej të tjerëve për standardet.Kai Eide do të bëjë vlerësimin ashtu “siç i thuhet”nga qendra e “varësisë” së tij,e jo ashtu,siç e ndien ai problemin e Kosovës.Vlerësimi do të jetë kryekëput politik.Duke qenë një vlerësim politik,ai mund të jetë “i sugjeruar”dhe aty qëndrojnë rezervat e mia për misionin e Kai Eide-s.Po qe se bashkësia ndërkombëtare ende “nuk ka një projekt serioz”për Kosovën,vlerësimi do të bëhët për “të përmbushur”këtë hapësirë të kohës.Nëse bashkësia ndërkombëtare nuk mendon “të kafshojë thellë”,do të vazhdojë “të blejë kohën” me standarde.Në këtë mënyrë, Kosova ende do “të mbahet peng”e standardeve të papërmbushura,standarde këto që vështirë se do të mund të përmbusheshin  edhe prej vendeve me rend më të zhvilluar demokratik.Prandaj,e kam shprehur edhe në një paraqitje time publike më parë  se standardet ka qenë dashur të “ndërlidhen”me mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në strukturat evropiane dhe veri-atlantike,e jo me “hapjen e negociatave”në të cilat dini se kur “hyni”,por jo edhe kur “dilni” dhe “si dilni”prej tyre.



10. A mendoni se po ecet me ritmet e nevojshme për t’u përgatitur për zgjidhjen e statusit? 

E.Stavileci:Mendoj se mungojnë informacionet sesi do të zhvillohet procesi i “zgjidhjes së statusit”.Në mungesë të informacioneve,ka “ngecje në vend”. ”Pritjet e mëdha” nuk duhet të shoqërohen me “përgatitje të vogla”.   


11. Si e shihni ju modelin e zgjidhjes së statusit të Kosovës, do të ketë bisedime dy palëshe Prishtinë-Beograd, bisedime tri palëshe, konferencë ndërkombëtare, referendum popullor…?  

E.Stavileci:Modeli më i pranueshëm dhe për mua më i drejtë,qoftë në pikëpamje logjike,qoftë në pikëpamje konstitucionale juridike,është ai i njohjes së të drejtës për vetëvendosje.Cdo variant tjetër kërcënon me rrezikun që “të zvarrisë”çështjen,veçanërisht nëse mendohet që kjo të bëhet nëpërmjet të negociatave Prishtinë-Beograd.Mund të ndodhë konferenca ndërkombëtare, por praktikat tregojnë për kompromise në to.Unë e quaj se çdo kompromis do të jetë i dëmshëm për Kosovën.Kosovës i duhet vetëqeverisja.I duhet shteti.Por,institucionet e Kosovës nuk duhet “të jetojnë me iluzione”se shteti vetvetiu do “ti mbyll”të gjitha të çarat në shoqëri.Kosovës i duhet shteti për t’i hapur proceset e bllokuara,për t’i ndërtuar mekanizmat që ndihmojnë zhvillimin e proceseve dhe që i mbrojnë ato,po sikurse që Kosovës,duke pasur parasysh “fqinjësinë”e saj,i duhet edhe “për një kohë prania ndërkombëtare,veçanërisht NATO-ja dhe prezenca  amerikane,në “lehtësimin e ecjes së Kosovës  me “këmbë të shëndosha dhe të sigurta”.Prandaj,përpara se “të deklarohet”për “pavarësi të kushtëzuar”,bashkësia ndërkombëtare do të duhej të mbështeste projektin e pavarësisë së “monitoruar”.Pavarësia “pa sovranitet” është si “trupi pa palcën kurrizore”. 


12.Kur mund të fillojë dhe sa mund të zgjasë procesi i zgjidhjes së statusit? 

E.Stavileci:Nuk e besoj se ka njëri që mund t’i përgjigjet saktë kësaj pyetjeje,qoftë ai edhe diplomat i formatit më të lartë.Janë “në lojë” shumë mundësi.Ka pajtime,por më shumë mospajtime se çfarë duhet “të bëhet me Kosoën”.Bashkësia ndërkombëtare deri më tash i është përgjigjur vetëm pyetjes se çfarë nuk do të bëhet me Kosovën.Do të varet nga shumë rrethana dhe kushtëzime.Prandaj,nuk parapëlqej që të bëj prognozë të pasaktë. Sidoqoftë,procesi do të zgjatë më shumë se që e mendojmë dhe më shumë se që e mendojnë edhe optimistët më të mëdhenj.  


13. Disa diplomatë perëndimorë kanë thënë para pak javësh se për Kosovën në këtë fazë do të ketë status të avancuar, të ndërmjetëm, por jo edhe përfundimtar. Gjithashtu edhe ministri i jashtëm gjerman Joshka Fisher i ka thënë kryeministrit Kosumi se statusi i Kosovës do të zgjidhet shkallë-shkallë… Sa mund të jetë e qëndrueshme kjo?

E.Stavileci:Nëse çështja e Kosovës është thënë se do të vendoset shkallë-shkallë,mund të bëhet fjalë vetëm për “zgjidhje kalimtare”,e jo për statusin e ardhshëm.Ndryshe,mua nuk më pëlqen që  përdorët “statusi përfundimtar për Kosovën”,qoftë ai edhe pavarësi për të,duke pasur parasysh se pavarësia  është dhe mund të jetë vetëm pararendëse e një statusi të mëvonshëm, kurdo qoftë të arritshëm, që do të jetësonte  aspiratën e popullit shqiptar për “të jetuar bashkë”. 


14. U dhanë alternativa të ndryshme për statusin e Kosovës: pavarësi pa sovranitet, pavarësi të kushtëzuar, pavarësi me sovranitet të cunguar etj. A po shkohet në një zgjidhje diçka më pak se pavarësi e plotë për Kosovën? Ushqimi i ndjenjës i “të qenët shtet” dhe ballafaqimi me kufizimet për “t’a bërë atë një realitet”  

E.Stavileci:Këtu nuk mund të bëj më shumë se një parashikim.Kam kundërshtuar fuqishëm “çdo zgjidhje”që nuk përfillë vullnetin e popullit.Në të gjitha variantet e propozuara çështja e territorit sikur “mbetet e hapur”.Përveç popullit dhe qeverisjes,territori dhe sovraniteti përbëjnë dy komponentët qendrore të një shteti.Mund të ndodhë që të vendoset një gjendje në të cilën,nga njëra anë “ushqehet ndjenja” e të “qenët shtet”,e në anën tjetër,ballafaqoheni  me kufizimet për ta bërë atë një realitet ose në të cilën “deklaroheni” si bartës të  pushtetit,nga njëra anë,e përballeni  me kufizime që vendosë bashkësia ndërkombëtare për të qenë “titullar real” i tij. 



15. A prisni një qëndrim unik të palës shqiptare në këtë proces?  
E.Stavileci:Megjithë rezervat që kam,mendoj se do të ketë një “këndellje”dhe se nuk  do të mungojë një qëndrim unik,por sa “do të vlejë” nëse ai nuk do të ketë mundësinë që “të shprehet”ose “të dëgjohet”,po qe se bashkësia ndërkombëtare do të vendos “njëanshëm”.Një qëndrim unik u duhet gjithë shqiptarëve.Nuk duhet të ketë një “adresim”tjetër të çështjes në Tiranë,Shkup  Preshevë e Ulqin.Duhet të vetëdijësohemi se vetëm me kohë “fitohet koha”.Koha,po sikurse dhe rinia,”nuk kthehen më”.Nëse “e kemi topin në këmbët tona”nuk duhet të lejojmë që të “na marrë kundërshtari”. Pra, kujdes,nga “gabimi në hapa”.


16. Kohëve të fundit janë thelluar përçarjet brenda partive politike shqiptare në Kosovë. Si mund të reflektojë kjo në këtë fazë të proceseve politike në vend? 

E.Stavileci:Përçarjet e brendshme, ky popull dhe ky komb i ka paguar shumë shtrenjtë në të kaluarën.Po qe se nuk i mënjanon në të tashmen,kërcënon rreziku që “të harrohet e kaluarja”. 



17. Ka filluar të spekulohet se vjeshta do të jetë kohë e rikompozimeve në Qeverinë e Kosovës, e ndoshta edhe e formulave të tjera qeverisëse gjithëpërfshirëse. A mendoni se qeveria aktuale mund të përballojë zgjidhjen e statusit politik të Kosovës? 

E.Stavileci:Më shumë se prej Qeverisë dhe kapaciteteve të saj,kjo do të varet nga mënyra e shtruarjes së çështjes për zgjidhje.Sidoqoftë,në “ndeshjet e vështira” luajnë “më të mirët”. 


18.     A i duhet në këtë fazë Kosovës një qeveri e spektrit të gjerë? 

E.Stavileci:Në demokraci zgjedhjet i përcaktojnë formulat e qeverisjes.Ato ndryshojnë “kur ndihet nevojë”që të ndryshojnë.Ndoshta më shumë se një qeveri e spektrit të gjerë,Kosovës i duhet një qeverisje e efektshme,në të cilën të gjithë marrin pjesë,në cilësi të ndryshme dhe të gjithë “derdhin ujin në një mulli”.Duke e derdhur në më shumë mullinj,kërcënon rreziku që asnjëri të mos ketë “ujë të mjaftueshëm”.Ecjen bashkë përherë e kam pëlqyer më shumë se “ecjen vetëm”.Këtu i ka rrënjët njëri ndër aforizmat e mi më të pëlqyeshëm:Atë   që ec vetëm,e kërcënon reziku që të humb rrugën,ai që ec me të tjerët, gjen rrugë të reja. 


19. Së fundi sikur kanë filluar të dëgjohen më shumë zëra revoltues ndaj politikës së tanishme dhe proceseve në Kosovë, zëra këta që po përfaqësohen dhe shoqërohen me veprime konkrete nga një organizatë e të rinjve, Lëvizja VETËVENDOSJE e udhëhequr nga Albin Kurti. A mendoni se është e domosdoshme një lëvizje e tillë?

E.Stavileci:Në mendimin tim se një kohë tjetër,një botë tjetër kërkon, gjindet një pjesë e përgjigjes në pyetjen Tuaj.Pjesa tjetër e përgjigjes “devijon qëllimisht” dhe,në dukje të parë,nuk përkon me pyetjen.Një grup të rinjsh që po rritet për ditë e më shumë ka përzgjedhur një mënyrë jo vetëm të shprehjes së revoltës,por edhe të shprehjes së mendimit. “Këmbëngulja”e Lëvizjes për të vepruar edhe kur “ndiqet”,edhe kur “burgoset”,e ka   rritë rejtingun e  saj dhe sikur  e profilizon atë në  një forcë të ardhshme  politike me ndikim në Kosovë.Ka një mendim shumë domethënës për rininë:”Rinia nuk pushon së ekzistuari edhe po qe se injorohet”.Kosova duhet t’a pranojë rininë si njërin ndër përbërësit më të rëndësishëm të saj.Ambicia më e madhe e rinisë është “që mos t’i ngjajë” gjeneratave të mëparshme,e “t’i vjelë të mirat e tyre”.   



20. Pas luftës së fundit, shqiptarët e Kosovës janë parballur edhe me fenomenin e quajtur “Hagë”. Si i komentoni aktakuzat e Tribunalit të Hagës ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së? Nuk ka padrejtësi më të madhe se kur shtrembërohet drejtësia  E.Stavileci:

Tribunali i Hagës ka vënë “para drejtësisë”edhe kriminelët edhe çlirimtarët.Mendoj se nuk po dëshmohet as me të parët dhe as me të dytët.Nuk e di sesa kohë i duhet Tribunalit të Hagës që “të vërtetojë akuzat”që duken të qarta edhe në “qiellin e mbyllur”dhe pse “mban prapa grilave”njerëz,”akuzat” e të cilëve “nuk duken” as në qiellin e hapur.Unë UCK-në e kam përjetuar si institucionalizim të një force në mbrojtje të një populli të kërcënuar me shfarosje.Luftën e saj e kam ndier si shpërfaqje të një dimensioni të ri të çështjes së Kosovës.Edhe pse vlerësimet më reale pritet t’i bëjë historia,pa pritur gjykimin e kohës,mendoj se Tribunali i Hagës ka pretenduar “të barazojë rezultat”aty ku ndeshja nuk ishte e barabartë.Nuk ka padrejtësi më të madhe se kur  shtrembërohet drejtësia.   



21.Kalojmë në Shqipëri. Atje u mbajtën zgjedhjet parlamentare, rezultati i të cilave çoi në ndërrimin e partive në pushtet. Sa ishte i pritshëm për ju një rezultat i tillë? 

E.Stavileci:Rezultati i zgjedhjeve nuk ishte i papritshëm.Qeverisja me Nanon në krye ishte në krizë përpara se të shpalleshin zgjedhjet.Qeverisja  e shtetit ishte   “shndërruar në biznes privat”të klasës politike.Interesat e politikanëve nuk korrespondonin me interesat e përgjithshme të popullit dhe të kombit.Mund të thuhet se në Shqipëri “nuk fitoi Berisha”,por humbi Nanoja.Nuk është “lojë fjalësh”,por thelbi i rezultatit të zgjedhjeve të fundit.Berisha është para mundësisë që “të korrigjojë”nga qeverisja e mëhershme e Nanos.Më lehtë është të korrigjosh së pari,sesa të gabosh së dyti.Berisha duhet të jetë i ndërgjegjshëm për këtë.E vetmja gjë që besoj,unanimisht,nuk do të dëshironin shqiptarët është që të mos përsëriten  gabimet e së kaluarës.   


22. A mendoni se kishte nevojë për një rotacion pushteti nga PS në PD? 

Eshtë më lehtë “të qenët demokratë”se “të bësh” demokracinë 
E.Stavileci: Nuk mendoj se ishte i nevojshëm vetëm rotacioni,por edhe më i nevojshëm ishte  edhe ndryshimi i “kursit të qeverisjes”.Shqipëria ndien nevojën për demokraci,si për “bukën dhe ujin”.Por,demokracia “nuk ndërtohet vetvetiu”.Prandaj,kam shkruar në shtypin shqiptar pas zgjedhjeve se “Eshtë më lehtë ‘të qenët’ demokratë se ‘të bësh’demokracinë”.Përkufizimi i demokracisë është një problem kompleks.Të kuptuarit e demokracisë është një problem edhe më kompleks.Ndërsa,”bërja e demokracisë”është një problem më kompleks se dy të parët bashkë.”Midis fjalës dhe asaj që tregon ajo,midis emrit dhe objektit,largësia është shumë e madhe”.Shqipëria është larg demokracisë për aq sa është larg mundësive për t’a bërë atë një realitet.Shqipëria ka kaluar nëpër një udhë ku demokracia “është ndërtuar”në “udhë jodemokratike”.Në Shqipëri ka ndodhur ndërrimi,por duhet të ndodhë edhe ndryshimi.Për të ndodhur ndryshimi,Shqipërisë i duhet një konsensus për vlerat e përgjithshme të demokracisë.  


23. Ju jeni një nga intelektualët që keni ngritur më së shumti zërin rreth domosdoshmërisë së përmirësimit të padrejtësive historike ndaj shqiptarëve, duke vlerësuar se zgjidhja e vetme dhe e plotë për shqiptarët është bashkimi kombëtar në një shtet etnik. Si e shihni të ardhmen e shqiptarëve në Ballkan? 
E.Stavileci:Nuk ka asnjë fije dyshimi se zgjidhja e vetme e drejtë dhe e plotë e çështjes shqiptare është bashkimi kombëtar.Natyrisht se këtë e shoh si një proces të kushtëzuar nga kushte dhe rrethana politike në Ballkan e më gjerë.Po qe se shqiptarët realisht synojnë bashkimin e tyre,ata do të duhej që parreshtur “të mbrojnë tërësinë e çështjes”,megjithë përcaktimet e tashme të pjesëshme.Eshtë detyrim kombëtar shtruarja e plotë,pra e pashkëputur e çështjes shqiptare.Duke e kundruar çështjen tonë si një dhe të bashkuar,do t’i kundërvihemi më së miri spekulimeve për të ashtuquajturën “Shqipëri e Madhe”.Shqipëria Etnike as nuk është dhe as nuk mund të konsiderohet “Shqipëri e Madhe”.Ndryshe,edhe bashkimi i dy Gjermanive do të duhej të kualifikohej si “Gjermani e Madhe”,bashkimi i Hong Kongut me Kinën-“Kinë e Madhe”.Sipas asaj logjike do të kishim “Vijetnamin e Madh”,”Jemenin e Madh”.Nuk ekziston ndër shqiptarët ndonjë doktrinë për “Shqipërinë e Madhe”,sikur që ka ekzistuar,për shembull “Naçertanija”e serbëve ose “Megalideja”e grekëve për Serbinë e Madhe ose për Greqinë e Madhe. Shqiptarët jetojnë në “një rryp të pandërprerë tokësor dhe kudo që janë sot të vendosur, përbëjnë elementët e popullit,d.m.th.,të kombit dhe mbi këtë bazë paraqesin “përmbajtjen kolektive unike historike të vendosur dhe të formësuar”.Po qe se “nuk e mbajmë gjallë” dhe nuk “e kultivojmë këtë ide”do të vazhdojmë të rritemi si popull,e të rrudhemi si komb.


24. Dhe për fund, ku është sot Esat Stavileci? 
E.Stavileci:Më pëlqen Ardit Gjebrea dhe kënga e tij:Ja ku jam!Në vlugun e punës.Me një dorëshkrim,pothuajse të kryer mbi Nocionet dhe Parimet e Administratës Publike,me një libër tjetër “nëpër duar”mbi Udhëkryqet e Kosoëvs dhe të çështjes shqiptare,me dymbëdhjetë paraqitje publike gjatë muajit korrik,qoftë në media të shtypur,qoftë në ato elektronike,qoftë në Kosovë,qoftë në Shqipëri,me ndonjë dromcë poezie a tregimi në “kohën e lirë”,për “t’a çlodhur mendjen”nga temat e “ngrohta”,me ndonjë skicë apo projekt tjetër...Pra,edhe një herë:Ja ku jam! Nuk jam “me asnjërin”,sepse dua të jem “me të gjithë”.Ky nuk është “mospërcaktim”.Përkundazi,është përcaktim “shumë i qartë”.