Fahri Musliu
Duke vlerësuar se mendimi dhe qëndrimi i Juaj ndaj çështjes së Kosovës dhe asaj shqiptare është me rëndësi qenësore dhe me ndikim, Ju lutemi që ta pranoni lutjen tonë për t’iu përgjigjur pyetjeve të shtruara për librin:Kosova midis Prishtinës e Beogradit: Si të arrihet zgjidhja përfundimtare?


1. Çka paraqet për Ju Kosova: dje, sot, nesër?
2. Si e vlerësoni gjendjen aktuale në Kosovë dhe çfarë është realiteti i ri. Sa janë të vërteta pohimet e disa qarqeve se Kosova po shkon drejtë pavarësisë dhe faktikisht është humbur për Serbinë?
3. Rreth Kosovës edhe më tutje ekzistojnë dy pikëpamje kundërshtuese, respektivisht dy projekte kombëtare: shqiptare dhe serbe. A e shihni mundësinë e pajtimit dhe të kompromisit historiktë këtyre dy popujve, duke pasur parasysh përvojat historike të popujve tjerë?
4. Si e shihni Ju zgjidhjen e çështjes së Kosovës? (qëndrimin tuaj arsyetone më gjërësisht).
5. Nëse Ju do të merrshit pjesë në bisedime mbi statusin e Kosovës a jeni të gatshem ta pranoni ndonjë zgjidhje tjetër përpos pavarësisë, dhe si i vlerësoni qëndrimet e disa qarqeve politike e intelektuale të Beogradit për ndarjen e Kosovës mbi baza etnike?
6. Kush duhet të vendos për statusin final të Kosovës: Beogradi e Prishtina me mbikqyrje ndërkombëtare, Këshilli i Sigurimit i KB, apo ndonjë konferencë ndërkombëtare?
7. A duhet që edhe më tutje, si pala shqiptare ashtue dhe ajo serbe, të jenë peng të aspiratave kombëtare nga shekulli XIX, apo zgjidhjet duhet t’ua përshtaten rrethanave dhe rrjedhave të reja evropiane e botërore?
8. A mund të bashkëjetojnë shqiptarë e serbët në Kosovë. A janë krijuar kushtet për pajtimin e tyre, dhe kush kujt duhet t’i kërkojë falje për të kaluarën e largët e të afërt në Kosovë?
9. Si e shihni Ju decentralizimin e pushtetit në Kosovë dhe pozitën e serbëve në të dhe si i vlerësoni propozimet e ndryshme që po i lasnojnë qarqet e ndryshem të Beogradit?
10. Çka duhet të bejnë strukturat politike shqiptare për kthimin e serbëve të zhvendosur në Kosovë, dhe lidhjen e tyre për institucionet e pushtetit vendor?
11. Çfarë do të duhej të ishte raporti i ardhshem i serbëve të Kosovës dhe Beogradit në rast të pavarësisë së Kosovës?
12. A janë të realizueshme "Standardet për Kosovën" dhe a duhet të jetë parakusht zbatimi i tyre për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës. A ka nevojë të ndryshohet Rezoluta 1244 e KS të KB, dhe nëse po - çka duhet të ndryshohet?     

Akademik Esat Stavileci përgjigjet:

 


1.Për mua Kosova dje paraqet një histori të hidhur të saj,Kosova sot paraqet “një peng”të po asaj historie,ndërsa Kosova nesër një shtet të pavarur me një të ardhme të “frymarrjes së lirë”të një populli të shumëvuajtur dhe të nëpërkëmbur prej kohësh,me aspirata për t’u bashkuar rreth trungut të vet,për  “t’ia kthyer dinjitetin dhe për t’ia mbrojtur palcën kurrizore të kombit.Në histori janë përgjithësisht të njohura lakmitëe e shteteve fqinje ballkanike për t’u zmadhuar në dëm të trojeve shqiptare dhe gjithashtu janë përgjithësisht të njohura programet e tyre që mohonin ekzistencën e kombit shqiptar.E theksoj këtë fakt veçanërisht për shkak se historia politike asnjëherë nuk i doli zot shqiptarëe dhe qenies kombëtare të tërësishme të tyre .Historia politike e shqiptarëve është,në fakt,histori e ndrydhjes së qenies kombëtare shqiptare. Kështu është edhe me Kosovën,si pjesë e copëzuar e çështjes shqiptare.Edhe pse nuk parapëlqehet që të merremi më shumë me historinë se me të ardhmen,nuk mund të mos e theksoj faktin se çështja e Kosovës si njëri,në mos edhe përbërësi më kryesor i çështjes ende të pazgjidhur shqiptare,nuk ekziston prej sot.Ceshtja e Kosovës u sajua me cungimin e trungut etnik shqiptar dhe të trojeve të shumicës së tij në Ballkan,cungim ky të cilin,siç dihet,e miratoi Konferenca e Londrës(1913),për “ta vulosur”së dyti “Konferenca e Versajes(1918-20,me ç’rast”në udhëkryqin e luftërave ballkanike” gjysma e kombit dhe më shumë se gjysma e trojeve të shumicës etnike shqiptare “nuk u gjend vetëm jashtë shtetit të ri shqiptar,por u gjend e okupuar nga shtetet fqinje ballkanike,kryesisht nga shteti serb”.   

2.Për mungesë të statusit,Kosova sot është e bllokuar brendapërbrenda dhe nga jashtë.Mungesa e statusit le të mbyllura shumë procese zhvillimore: si proceset e transicionit,qofshin ato ekonomike ose politike;proceset e privatizimit;proceset e vendosjes së ekonomisë së tregut dhe të përkufizimit të qartë të pronësisë;proceset e ndërtimit të demokracisë politike dhe të funksionalizimit të shtetit,procese këto që pamundësojnë ose,së paku,vështirësojnë integrimin rajonal,kombëtar dhe ndërkombëtar të Kosovës,kështu që Kosova mbetet pa e rrumbullakësuar as sistemin ekonomik, as sistemin politik dhe as statusin kushtetues-juridik.Realitet   i ri është se Kosova është nën Administrimin e Përkohshëm Civil Ndërkombëtar dhe se me kufizime që e vështirësojnë qeverisjen e saj,po “përpiqet të dalë nga një rreth i mbyllur”në një gjendje të marrjes mbi vete të fateve të veta në duart e veta.Kosova “po ecën drejt pavarësisë”,por bashkësia ndërkombëtare ende po e mbanë “me pranga në këmbë”,për  “të amortizuar ndikimin e Sërbisë”,edhe pse e ndërgjegjshme se Kosova  “nuk do të mund  të  kthehej  më nën kontrollin e Beogradit.  

3.Mundësitë e pajtimit nuk i shoh,ndërsa kompromisi “mund të imponohet”.Projekti serb nuk është i ri.Tek serbët ai qarkullon ç’prej se dihet për Kosovën.Por, ana e mangët e tij është se “mbështetet në mite”.Po qe se serbët mendojnë se Kosova është “zemër”dhe “djep”i “shtetit serb”duhet të kuptojnë se,të shprehem figurativisht, ”transplatimi” është bërë në trup të huaj,sikurse që edhe fëmija që “përkundët në djep”është foshnje e huaj.  Qëndrimet posesive serbe ndaj Kosovës që i referohen historisë janë dyfish të pathemelta.”Së pari,janë të pathemelta në aspektin metodologjik të cilësimit të karakterit kombëtar të territorit, meqë po të merrej historia si kriter,me gjithë realitetet nacionale-territoriale bashkëkohore,Hungaria do të kishte të drejtë të vinte dorë mbi pjesën jugosllave të Panonisë,Bullgaria dhe Hungaria do të rivalizonin rreth Beogradit,Greqia do të vinte dorë mbi Stambollin, Shqipëria mbi Janinën,Meksiko mbi Floridën dhe Kaliforninë, Suedia mbi Norvegjinë dhe Finlandën,Gjermania mbi pjesët e rajoneve të Shlezisë dhe të Sudeteve,Danimarka mbi Shlezvikun,Iraku mbi Kuvajtin etj.,etj.Së dyti,qëndrimet posesive të përmendura janë të pabaza edhe në aspektin e të vërtetës materiale historike,meqë Kosova,përkundër pohimeve me karakter të tillë,nuk është as djep i popullit serb,as djep i shtetit serb”(Më gjerësisht :Gazmend Zajmi,Vepra 1,Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës,Prishtinë,1977).Projekti shqiptar është një realitet që po krijohet dhe ai  është i rrethuar me shumë argumente historike,politike dhe juridike-konstitucionale që e bëjnë atë të realizueshëm.Në të vërtetë,vet karakteri etnik,historik,politik dhe ndërkombëtar i Kosovës sot e profilizon  pozitën e saj politiko-shtetërore nesër,po sikurse që sugjeron mënyrën adekuate nëpërmjet së cilës do të mund të realizohej mëvetësia socio-politike e saj.   

4.Në asnjë mënyrë tjetër jashtë  pavarësisë së plotë të saj,jashtë çfarëdo lidhjeje me Sërbinë ose krijesën artificiale shtetërore Unioni Serbi-Mali i Zi.Madje,jam i mendimit se do të jetë “humbje kohe”përderisa do “të qarkullojnë”ide dhe koncepte të tilla,qofshin ato edhe “mirë të arsyetuara”nga “pikëpamja politike”.Do të theksoj,  me këtë rast, disa nga  argumentet  mbi të cilat bazohet pavarësia e Kosovës.E para,Kosova paraqet sot një rajon politiko-territorialisht të individualizuar në Ballkan.E dyta,Kosova paraqet një entitet historik,nacional dhe social-politik,me një identitet dhe individualitet të pamohueshëm. E treta,Kosova përfaqëson sot një realitet nacional demografik dhe territorial të popullit mbidymilionësh,me një individualitet historik, gjeografik,nacional-strukturor dhe politik.E katërta,Kosova paraqet çështje të vetëvendosjes së popullit shumicë të saj,sepse e drejta e vetëqeverisjes “i takon edhe si e drejtë e vetëvendosjes kombëtare edhe si e drejtë e vetëvendosjes së popullatës së territorit të individualizuar”.E pesta,Kosova në ish-Federatën multinacionale të Jugosllavisë kishte status të njësisë konstitutive.E gjashta,Kosova në ish-Jugosllavi kishte  kufijtë e saj interfederalë që nuk mund të ndryshoheshin pa pëlqimin e saj,sikundër që edhe kufijtë e jashtëm të ish-Jugosllavisë nuk mund të ndryshoheshin pa pëlqimin edhe të Kuvendit të saj.E shtata,Kosova me Deklaratën Kushtetuese të Kuvendit të saj(2 korrik 1990)me vendim në kuadër të saj,doli nga struktura komplekse kushtetuese e Republikës së Sërbisë,nga e cila qe aneksua pa vullnetin e popullit të vet(1945).E teta,pas zhbërjës së ish-Jugosllavisë,Kosova me asnjë akt konstitucional të saj nuk mori pjesë në themelimin as të Federatës Serbo-Malaziase dhe as të Unionit Serbi-Mali i Zi.E nënta,raporti ndërmjet Sërbisë dhe Kosovës është raport më vete si makroproblem ndëretnik serbo-shqiptar ,e jo si raport i dy etnikumeve që mund “të vendosën në një kompozicion “.E dhjeta,shqiptarët që përbëjnë shumicën e popullatës në Kosovë janë “subjekt i vendosjes për fatin e vet historik në rrethana të reja historike e politike në Ballkan”(Nga libri i Esat Stavilecit:Në mbrojtje të pavarësisë së Kosovës,Shoqata e Pavarur e Juristëve e Kosovës,Prishtinë,1998). 

5.Kurrsesi nuk do të pranoja zgjidhje për Kosovën jashtë pavarësisë së saj,ndërsa sa i përket idesë për ndarjen e Kosovës më lejoni që duke u deklaruar kundër saj,të ofroj edhe një numër faktesh që e mohojnë atë,sado e vjetër qoftë ajo.Së pari,derisa kuazi shkenca serbe përpiqet “të dëshmojë”se “Kosmeti është serb”,argumentet historike flasin bindshëm se “serbët janë vendosur në Kosovë me rastin e zgjerimit të shtetit serb në këtë drejtim nga nemanjiqët”.Së dyti,në territorin etnik shqiptar,për pasojë pushtimesh,në Mesjetë dhe në kohën e Perandorisë Osmane,janë vendosur pakica sllave,turke dhe rome.Së treti,pakica sllave është shtuar ndjeshëm me kolonizimin e dhunshëm në mes dy luftërave botërore,mirëpo kurrë nuk ka arritur të jetë mbi 10%të popullatës në tërësi.Së katërti,popullata shqiptare në trojet e veta etnike në ish-Jugosllavi dhe territori i saj etnik,gjatë gjithë historisë ka jetuar dhe ka funksionuar si një bashkësi etnike me pjesën tjetër të shqiptarëve në Ballkan.Së pesti,pretendimet serbe për “ndarjen e Kosovës”nuk mund të qëndrojnë dhe të arsyetohen shkencërisht me të kaluarën serbe në Kosovë.Gjithë kjo përthekon të kaluarën e shqiptarëve dhe të serbëve në Kosovë dhe dëshmon të vërtetën se:(1)Struktura etnike e Kosovës flet për shumicën dominante shqiptare si një realitet kombëtar-demografik-territorial të popullit shqiptar të Kosovës dhe jo për strukturën heterogjene kombëtare,në emër të së cilës do të mund “të arsyetohej”ndonjë variant i “ndarjës së Kosovës”. (2)Cdo persiatje serbe për “ndarjën e Kosovës”është e pabazë,meqë prapa vetes nuk ka fundament “të ndarjeve reale etniko-territoriale në hapësirën e saj”.(3)Shumica etnike shqiptare paraqet karakteristikë të të gjitha “makrozonave”të saj.(4)Kosova nuk paraqet një territor diversifikativ etnik të karakterit enklav.Prandaj,”përthekimi i dhunshëm eventual”i një pjese të territorit të Kosovës do të ishte “në shpërputhje me entitetin burimor politik të tij”.(5)Në Kosovë bëhet fjalë për “kuantume dhe proporcione relative demografike dhe kombëtare shprehimisht të ndryshme”(Esat Stavileci, “Vazhdimësia e mendimit për Kosovën dhe çështjen shqiptare”,Lidhja Shqiptare në Botë,Prishtinë-Tiranë-Tetovë,2002).    

6.Po qe se Kosova është çështje e vetëvendosjës së popullit të saj e mbi bazë të shumë argumenteve historike,politike dhe konstitucionale juridike është,atëherë për Kosovën mund të vendosin vetëm qytetarët e saj dhe çdo zhvendosje e vendimit jashtë tij do të mohonte një të drejtë themelore të çdo populli,të theksuar edhe në dokumente ndërkombëtare. Një konferencë ndërkombëtare do të mund vetëm ta përligjte një të drejtë të tillë.Kosova asnjëherë nuk ka vendosur për vetën e vet.Për të kanë vendosur të tjerë.Kosovës i është imponuar vullneti që “të pranojë” nënshtrime dhe pushtime tokash nga të huajt.Siç u tha,në vitin 1945,ndodhi aneksimi i Kosovës nga ana e Sërbisë.C’është e vërteta,ajo është aneksuar së pari më 1912 dhe më 1918,ndërsa me 1989 prej Kuvendit të saj u kërkua që “të deklarohet për kufizim të vetvetës”.  

7.Rrjedhat e reja evropiane dhe botërore flasin për krijimin e shteteve të reja.Mjaftojnë shembujt me ish-Bashkimin Sovjetik dhe ish-Jugosllavinë me ç’rast “janë shkelur”kanunet për të cilat gjoja se “angazhohet” bashkësia ndërkombëtare.Prandaj,pyetja që do të mund të shtrohej në lidhje me Kosovën është se:përse për te të vlejnë parametra të tjera dhe përse Kosova të jetë një përjashtim nga rregullat që kanë krijuar një realitet të ri botëror,përkundër thirrjeve për “zhdukje kufijsh”dhe globalizim.Më në fund,faktet flasin se në botë sot ka 34 shtete anëtare të OKB-së,me sipërfaqe më të vogël se Kosova;se ka 58 shtete anëtare të OKB-së,me popullsi më të vogël se Kosova dhe se nga vitet 1990-2002 në OKB janë pranuar 34 shtete.Prandaj,me të drejtë thuhet se “aty ku janë të pranishme faktet,fjalët bëhen të panevojshme”. 

8.Varet prej serbëve se a duan të jetojnë me shqiptarët.Po qe se duan,ata duhet të pranojnë realitetin e ri dhe Kosovën ta konsiderojnë shtetin e tyre,e jo përherë të jenë të drejtuar “me sy e vesh”nga Beogradi. Pajtim nuk mund të ketë për derisa do të ketë urrejte.Plagët e shqiptarëve janë shumë të rënda.Prandaj,në lidhje me pyetjen  se kush kujt duhet t’i kërkojë falje,më duket se ajo pyetje është shumë provokuese,madje edhe fyese, për ne shqiptarët në të cilët nga regjimi serb është ushtruar represion i vazhdueshëm deri në përmasa të gjenocidit.Përpjekjet nga ana serbe “për të barazuar rezultat”me disa akte të dhunës ndaj serbëve në Kosovë,në kohën e luftës dhe të pasluftës që më shumë janë akte individuale  të revanshizmit,janë të pabaza.Ato nuk janë dhe nuk mund të jenë të barasvlefshme dhe nuk mund “të vendosen me një peshojë”me barabarinë serbe.Kjo nuk do të thotë arsyetim të veprimeve individuale të shqiptarëve,por angazhim për kualifikimin e drejtë të tyre,edhe si numër,edhe si krim apo vepër,edhe si pasojë.Shkenca jonë përgjithësisht,ajo penale veçanërisht,është para detyrës që t’i qaset studimeve të thelluara kërkimore – shkencore për veprat e kryera në Kosovë nga forcat paramilitare,militare dhe policore serbe në Kosovë.Kriteri i së vërtetës nënkupton vlerësimin,përkatësisht gjykimin dhe mjetin,për të kontrolluar vërtetësinë ose gënjeshtrën e një pohimi,hipoteze,teorie,pra edhe të një parimi.Në Kosovë kanë ndodhur krimet kundër njerëzimit,si vepra jonjerëzore,të kryera kundër popullsisë civile shqiptare.Në Kosovë ka ndodh “dukuria më e egër dhe më e zymtë e historisë së njerëzimit”-gjenocidi mbi shqiptarët.Pra,edhe pa pritur gjykimin e kohës,vështruar nga aspekti kriminologjik,format e veprave penale të ushtruara ndaj shqiptarëve,vëllimi,struktura,kryerësit e në veçanti motivet,kanë të gjitha elementët e krimeve kundër  njerëzimit, mirëpo,meqenëse këto vepra “përdoreshin si mjet për spastrimin etnik të shqiptarëve nga Kosova dhe shkatërrimin e pjesërishëm apo të plotë të pjestarëve të kombit shqiptar që jetonin në Kosovë”,ato padyshim kishin elemente të krimeve gjenocidale.Nuk ka një tjetër “të vërtetë”për atë që ka ndodhur në Kosovë.   

9.Tek decentralizimi do të ndalem më shumë për dy arsye:e para,sepse e konsideroj se është një problematikë për të cilën kam mjaftë njohuri profesionale dhe e dyta,për shkak se ai,në mënyrën se si “po servirohet”kërcënon me rrezikun për të ardhmen e Kosovës.Po nisem nga fakti se decentralizimi,si nocion dhe si koncept,ndërlidhet me sistemin territorial të qeverisjes.Në fakt,qeverisja territoriale paraqet një proces të përbërë,i cili shprehet nga më shumë funksione që ushtrohen mbi bazë të dy parimeve:centralizimit dhe decentralizimit.Në kuptimin më të gjerë,decentralizimi nënkupton çdo dobësim të ndikimit të qendrës në pjesët e saj.Përpara se t’i përgjigjem drejtëpërsëdrejti pyetjës,është mirë që të përmend se ekzistojnë tri shprehje të decentralizimit,me konsekuenca organizative të ndryshme që manifestojnë ato:një,delegimi,që nënkupton bartjen e punëve nga qendra në shkallë më të ulëta;dy,decentralizimi organizativ,që nënkupton bartjen e punëve dhe,njëkohësisht,organizimin e njësive të reja organizative dhe tre,decentralizimi politik,që nënkupton bartjen e punëve,zgjerimin organizativ të shkallëve më të ulëta dhe krijimin e mekanizmave kontrolluese politike ndaj shkallëve më të ulëta.Vështruar nga ky kënd,decentralizimin e shoh si një proces shumë kompleks,me shumë përparësi,por të shoqëruar edhe me mangësi të caktuara që mund të prodhojnë kundërthënie dhe të kundërten e qëllimit që dëshirohet të arrihet.Mendoj se përpara se në Kosovë “të vendoset”një model i improvizuar i decentralizimit,duhet bërë studime teorike dhe empirike në mënyrë që të gjindet modeli që i nevojitet dhe i përshtatet Kosovës,që të jetë shoqërisht i pranueshëm;politikisht i përshtatshëm,organizativisht i arsyeshëm,funksionalisht racional dhe,para së gjithash,etnikisht i hapur.Prandaj,duhet pasur shumë kujdes që decentralizimi në Kosovë të mos identifikohet me ndarjen territoriale,pra të mos ofrojë territorializimin etnik që,përndryshe,është koncept i vjetër serb;që të mos parashikojë komuna ose njësi komunash mbi baza etnike dhe që,para së gjithash,të mos dëmtojë karakterin unik të Kosovës.Nga ana tjetër,decentralizimi në Kosovë vështirë se do të mund të vendosej pa i përballuar Kosova kufizimet e qeverijes nëpër të cilat po kalon.Një pyetje që do të mund të shtrohej paraprakisht është:meqë Kosova dhe institucionet e saj ende nuk kanë pushtet,pra as centralizim të tij,çka do të mund “të decentralizohej”?Fakti se institucionet e Kosovës nuk kanë kompetenca të plota,madje se edhe ato që i kanë,nuk mund t’i shtrijnë në tërë territorin,nuk e favorizon decentralizimin përpara statusit,por të kundërten:e kërkon zgjidhjen e statusit që,mbi bazë të tij,të përcaktohet modeli i decentralizimit,madje duke marrë edhe opinionet e qytetarëve të cilëve,tek e fundit,u referohet.Serbët qysh  moti ofrojnë konceptin e krijimit të dy entiteteve dhe këtë “përpiqen ta arsyetojnë”me problemin e “ruajtjes së interesave serbe në Kosovë”.Ajo që do të duhej të bënin serbët është,sipas mendimit tim,dëshmimi i gatishmërisë së tyre për integrimin në institucionet e Kosovës dhe njohja prej tyre e statusit të Kosovës në përputhje me vullnetin e popullit shumicë në të.Prandaj,ndërkohë,në Kosovë duhet bërë përpjekje për reformimin e administratës publike jo me krijimin e komunave ose të njësive të reja organizative të cilat në vend se të shpienin kah integrimi,do të kërcënoheshin me rrezikun e dezintegrimit,por me bërjen më efikase të shërbimeve që ofrojnë ato të tashme për të gjithë qytetarët,në mënyrë të barabartë.Afrimi i pushtetit lokal qytetarëve është një synim i përhershëm i shteteve me rend demokratik.Kosova po i bën hapat e para në demokraci dhe i duhet shumë kohë për ta vendosur atë në mënyrën më të përshtatshme për qytetarët e saj.        

10.Strukturat politike shqiptare duhet të angazhohen në këtë plan,mirëpo ato “nuk mund të bëjnë shumë”po qe se mungon vullneti i serbëve “për t’u bërë pjesë e institucioneve.Ende ka një shantazhim të madh të Beogradit,i cili nga njëra anë gjoja se angazhohet për përmirësimin e pozitës së tyre,e nga ana tjetër,në fakt “i mban peng” dhe “u sugjeron në vesh”që “të mos e bëjnë këtë”,sepse po qe se do ta bënin,do të “bëheshin bashkëpjesëmarrës”të krijimit të një shteti të ri shqiptar në Ballkan.Bashkësia ndërkombëtare dhe qendrat me ndikim politik në të duhet të kuptojnë mirë skenaret serbe,nëse duan sinqerisht paqe dhe stabilitet në rajon.   

11.Se pari,Serbia dhe Kosova duhet te kishin raport te dy shteteve fqinjë të cilat do të mund të ndërtonin marrëdhënje të mira tek passi të kenë “riparuar”pasojat e luftës.Ndryshe ato do të ishin vetëm marrëdhënie kurtoazie politike,me armiqësi të qëndrueshme dhe shumë vështirë të përballueshme.Se dyti,Serbia duhet te gezoje te drejten e perkujdesjes per pakicen serbe ne Kosove,por pa “nderhyrje” ne proceset politike.    

12.Së pari,duhet parë qëllimin e “vendosjes së standardeve”.Së dyti,duhet t’i përgjigjemi pyetjes se a është “tejkaluar”,se a “e ka ngrënë koha”dhe realiteti i ri në Kosovë Rezolutën 1244,e cila “niset”nga ruajtja e “sovranitetit”të një shteti që nuk ekziston më dhe që interpretohet jashtë çdo logjike, se “e bartë”atë në një krijesë të re artificiale shtetërore që nuk mund të mbahet ndryshe veçse me trysni të mëdha të bashkësisë ndërkombëtare për derisa Kosovën “e le peng të saj”.Bashkësia ndërkombëtare ka vendosur “standarde për Kosovën”,pa i emërtuar ato si “standarde për pavarësinë e Kosovës”.Standardet sigurisht se synojnë një cak,por pa e përkufizuar qartë atë,kështuqë ato vetvetiu “ngelin jashtë kontekstit të atij caku”dhe “objektivisht e izolojnë Kosovën nga rrjedhat e përgjithshme”.Ka edhe një problem tjetër me standardet.Ato janë selektive dhe përgjegjësia për përmbushjen e tyre përpara sikur bie në institucionet ndërkombëtare sesa në ato vendëse që janë të zhveshura nga kompetencat e mirëfillta”.Prandaj,në Kosovë standardet “shihen edhe si pengesa në rrugë”.Pengesat e para kanë të bëjnë me mosbartjen ose bartjen shumë selektive të kompetencave nga ana e UNMIK-ut tek autoritetet vendëse.Pengesat e dyta i referohen rrezistencës së theksuar të Beogradit dhe involvimit të tij në këtë proces.Pengesat e tjera janë derivative dhe burojnë nga këto dy kryesore.Sa i përket Rezolutës 1244,çdo referim në të është një qasje e gabueshme,sepse realitetet e reja të krijuara vetvetiu e kanë tejkaluar atë.Bashkësia ndërkombëtare duhet “të vetëdijësohet”se Rezoluta 1244 nuk paraqet formulë të zgjidhjes së çështjes së Kosovës.C’prej se ka ndodhur shpërbërja e ish-Jugosllavisë dhe ç’prej se Kosova është vendosur nën Administrimin e Përkohshëm Civil Ndërkombëtar,në Kosovë kanë ndodhur realitete të reja dhe e ardhmja e Kosovës mund të zgjidhet vetem mbi bazën e atyre realiteteve të cilat e shprehin Kosovën si entitet politik unik dhe të pandashëm.Bashkësia ndërkombëtare duhet “të vetëdijësohet”se njohja e vullnetit të popullit të Kosovës duhet të jetë faktori i vetem përcaktues për të ardhmen e saj.Nëse e ardhmja e Kosovës është dhe duhet të jetë në duart e popullit të saj,ky fakt e bën të panegociueshëm me Beogradin çështjen e statusit të Kosovës,sikurse edhe të paqëndrueshme pikëpamjen se e ardhmja e Kosovës “do të përcaktohet nga ana e Këshillit të Sigurimit në përputhje me Rezolutën  1244”.Më në fund,çështja e Kosovës është çështje më vete dhe ajo nuk mund dhe nuk duhet “të simetrohet”me çështje të rajoneve të tjera.Dalja në sipërfaqe e këtij realiteti është shumë favorizuese për përshpejtimin e proceseve politike në Kosovë dhe vendosjen e statusit politik të saj në përputhje me vullnetin e popullit të saj.Cdo qasje tjetër dhe çdo vendim tjetër do të ishte i imponuar dhe nuk do t’i ndihmonte paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.                 

Vërejtje e autorit:libri është botuar me titull:Shthurrja e nyjës së Kosovës,në tri gjuhë:shqip,serbisht dhe anglisht,Beograd,2005.