1. Terminologjia e përdorur në dokumentin e Ahtisarit a ka rrezik që të krijojë ambiguitet në interpretim, në veçanti në çështjen e decentralizimit dhe zonave të mbrojtura, si dhe në ushtrimin e kompetencave të komunave me shumicë serbe?


 Dokumentet politike që pretendojnë të ofrojnë zgjidhje kompromisi,te  të dyja palët  mund të krijojnë ndjenjën se “nuk po dalin humbës” nga një proces negociatash.Ato dokumente përherë i ka kërcënuar rreziku i ambiguitetit. Kështu ishte me Rezolutën 1244,kështu është edhe me Pakon e Ahtisarit,sado që ai po  premton se versioni përfundimtar do të jetë më i qartë.Edhe më heret kam tërhequr vërejtjen se shtizat do “të thyhen”në çështjen e decentralizimit, sepse ai po vendoset mbi parimin territorial dhe etnik;në çështjen e zonave të mbrojtura,sepse ato do të gëzojnë të drejta pronësore që mund të kufizohen në mënyra të veçanta dhe në çështjen e kompetencave shtesë të komunave serbe ose me shumicë serbe,sepse ato do të krijojnë një asimetri e cila vështirë se do të mund të rregullohej me një sistem unik ligjor.

 

2.A ka rrezik që autonomia administrative, të cilën e gëzojnë serbët, të shndërrohet në autonomi territoriale- politike? 

Megjithë deklarimet dhe zotimet nga zyrtarë ndërkombëtarë e vendorë se serbët nuk do të kenë autonominë e tyre territoriale-politike,shqetësimet ekzistojnë dhe ato janë të bazuara.Së pari,qysh në raportin e z.Kai Eide,në tetor 2005,është sugjeruar “autonomia serbe në Veriun e Kosovës”.Së dyti,krijimi nga një komunë ekzistuese i dy komunave të Mitrovicës,me kompetenca shtesë dhe me vendosjen e autoritetit të Komunës së Veriut,p.sh,ndaj Universitetit publik të Mitrovicës.Së treti,kërcënimi se me pavarësimin e Kosovës do të mund “të pavarësohej”pjesa veriore e Kosovës.Janë tre nga më shumë indikatorë që çojnë nga konkludimi se mund të ndodhë autonomia territoriale – politike,një kohë e papranuar dhe e kontestuar,por që me kalimin e saj,do të mund të përligjej si “gjendje në terren”,faktor ky që në situatat konfliktuoze dhe në përpjekjet për t’i zgjidhur ato,ka qenë me ndikim të madh.


3. Financimi nga Beogradi i komunave a rrezikon që ta  defunksionalizojë pushtetin qëndror të Prishtinës?

Defunksionalizimi i pushtetit qëndror të Prishtinës rrezikohet prej financimit të komunave serbe ose me shumicë serbe,por jo vetëm prej tij.Eshtë një numër më i madh kërcënimesh për të defunksionalizuar pushtetin qëndror të Prishtinës.Kërcënimi më i madh mund të vijë nëse institucionet qeverisëse në Kosovë nuk do të mund t’i ushtrojnë kompetencat e veta në gjithë territorin e saj.Ky problem do të mund të shoqërohej me kërcënimin tjetër se në Kosovë nuk do të vlejë ligji unik në gjithë hapësirëen e saj.Financimi i komunave serbe ose me shumicë serbe nga Beogradi,  vetëm sa mund të çojë në shkallën më të lartë defunksionalizimin e pushtetit qëndror të Prishtinës,në mënyrë të veçantë nëse pushteti qëndror i Beogradit,duke i keqpërdorur mundësitë që po ia ofron Pakoja e Ahtisarit,do të përpiqet të ushtrojë ndikim në rrjedhat në ato komuna.Kështu,pozicioni politik i Beogradit ndaj Kosovës nuk do të mbyllej. 


4.Pavarësisht se sa territor do të administrohet nga serbët e Kosovës, ne kemi sot një Kosovë ku rreth 5 për qind aktualisht e përbën pakica serbe, por me planin e decentralizimit afro 30 për qind e territorit do të administrohet drejtpërdrejtë nga ata, derisa e kemi shumicën shqiptare mbi 90 për qind që në proporcionalitet do të thotë serbët do të administrojnë 6 herë më tepër se sa janë vet,kurse  shqiptarët shumë më pak se sa janë? 

Kosova do të paguajë një çmim shumë të shtrenjtë në emër të krijimit të një shoqërie shumetnike,edhe pse realitetet flasin se ajo,as në të kaluarën dhe as sot, nuk paraqet një shoqëri të tillë.Ky parim,në vend se të synonte barazinë,po kërcënon me rrezikun që të vendosë pabarazi,sepse me te po tretën dy nga premisat më të rëndësishme të shoqërisë demokratike:raporti shumicë-pakicë, si numër dhe raporti komb-pakicë,si përkatësi.Mbi bazën e këtij parimi,është ndërtuar plani i decentralizimit i cili nuk përkon me realitetin territorial dhe etnik të Kosovës.Beogradi përherë ka pretenduar decentralizimin në vija etnike që lidhë vendbanimet me shumicë serbe drejtpërdrejt me qendrën në Serbi.Prandaj  Beogradi, më shumë se për serbët e Kosovës, interesohet  për territoret serbe në Kosovë.”Në emër” të këtij plani,ia ka dalë që,përveç pesë komunave ekzistuese,të fitojë edhe gjashtë komuna të reja,prandaj dhe synon që “ta kontrollojë”atë pjesë të territorit,nëpërmjet lidhjeve horizontale e zinxhirore të komunave dhe raportit të tyre vertikal me institucionet e Serbisë.

5. Po ashtu, me dokumentin  e propozuar kërkohet që në Parlamentin e Kosovës të gjitha ato ligje që kanë të bëjnë për ndryshimin e territorit të komunave, për arsimin, për përdorimin e gjuhës, simboleve kombëtare, të votohen me dy të tretat e deputetëve minoritarë,pra ata do të kenë të drejtë, të themi të vetos,  Kjo mënyrë e votimit a mund ta defunksionalizojë  punën në Parlamentin e Kosovës?

 Mund ta defunksionalizojë deri në atë masë sa që unë parashoh që pika më e shpeshtë e rendit të ditës në Kuvendin e Kosovës të jetë “shtyhet mbledhja”.I ashtuquajturi “diskriminim pozitiv”dhe në emër të tij “votimi i dyfishtë”,qoftë për një numër të caktuar ligjesh,qoftë për ndryshimet kushtetuese,mund të bllokojë punën e Kuvendit të Kosovës dhe “ta mbajë peng”të shantazheve të deputetëve të minoriteteve,veçanërisht të atyre serbë.Nuk kam gjë kundër parimit që minoriteteve t’u ndahen të drejta sipas standardeve ndërkombëtare,por jam kundër krijimit të privilegjeve të mëdha veçanërisht për serbët,qoftë në dëm të shumicës shqiptarë,qoftë në dëm të grupeve të tjera etnike në Kosovë.Persiatjet për “pakicat konstituive”kërcënojnë edhe me një rrezik tjetër:përfitimin nga ana e serbëve të statusit të popullit shtetformues,në mënyrë që të marrin me shumë pushtet se si pakicë.