KOSOVA ESHTE , NE THELB, ÇESHTJE  E VETEVENDOSJES

1.Si e vlerësoni propozimin (pakon) e Ahtisaarit?

Si një dokument që sugjeron statusin e ardhshëm politik,juridik e ndërkombëtar të Kosovës,si një dokument me të cilin synohet të hapet pjesa përmbyllëse e përkufizimit të statusit të ri të Kosovës,në një rrugë tjetër nga ajo që ishte ndjekur për ish-republikat e Jugosllavisë që automatikisht nënkuptonte njohjen e vullnetit të  lirë të popullit për shtet të pavarur dhe sovran,pa e vënë atë në korniza kushtëzimesh apo kufizimesh.

Pra,bëhet fjalë për një propozim  që çështjen e Kosovës e shtron në një dritë tjetër të zgjidhjes së saj që do të thotë kalimin nëpër një proces, jo vetëm të një partneriteti të plotë me bashkësinë ndërkombëtare,por edhe,në masë të caktuar,në vartësi të saj.Prandaj,dokumenti paraprakisht,përpara deklarimit të Kuvendit të Kosovës për të ardhmen e vet,parasheh disa kushte e kufizime të përshkruara në një marrëveshjeje që do të ketë supremacionin ndaj aktit më të lartë juridik të Kosovës.Pakoja është një dokument rekomandimesh,e jo vendimesh,  për statusin e ardhshëm të Kosovës.Ajo paraqet një akt në zinxhirin e proceseve që synojnë të përmbyllin zgjidhjen e çështjes së Kosovës,edhe pse,në fakt,ajo është një kornizë për pozitën e minoriteteve,veçanërisht për pakicën serbe dhe për modalitetet e pranisë ndërkombëtare në Kosovë.Vlerësimi më i plotë i dokumentit mund të bëhet vetëm pas miratimit të tij eventual në Këshillin e Sigurimit të OKB-së,prandaj të drejtën për të gjykuar për të e ndërlidhi:e para,me qartësimin dhe shprehjen pa ekuivoke të statusit dhe me miratimin eventual të tij në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.  

 

2. Çka ofron Pakoja e Ahtisaarit?

Në lidhje me të janë shfaqur dy ndjenja të skajshme.E para optimiste, që “symbylltas”e mbështet gjithë Pakon e Ahtisarit.E dyta,pesimiste,që nuk “sheh asnjë dritë” në të,prandaj edhe e kualifikon si të dëmshme.Eshtë mirë që,më në fund,bashkësia ndërkombëtare,u ndërgjegjësua se status quoja në Kosovë është e paqëndrueshme dhe se ajo paraqet një pengesë serioze për proceset zhvillimore në Kosovë.Gati tetë vjet prej vendosjes së Kosovës nën Administrimin e Përkohshëm Civil Ndërkombëtar,asaj po i bëhët një qasje që mëton “ta nxjerrë”nga një “rreth i mbyllur”.Por,nuk është mirë që është privuar nga mundësia që vetë të deklarohet, qoftë për përmasat e mëvetësisë eventuale,qoftë për shkallën e pranisë ndërkombëtare.Në mënyrën se si është koncipuar,plani parasheh një vetëqeverisje të Kosovës,jo vetëm të mbikëqyrur,por edhe të instrumentalizuar me fuqi ekzekutive,deri në shkallën e interpretimit të saj në situatat problemore nga të cilat,ç’është e vërteta,nuk e kursen të ardhmen e Kosovës.Prandaj,përherë kam konsideruar se vetë statusi dhe zbatimi i tij do të mund të përbënin sfidat më të mëdha në Kosovën e “passtatusit”.Pakoja ka dritat,po sikurse që ka edhe hijet e veta,prandaj duhet që të kundrohet si tërësi dhe të pret fatin e miratimit ose mosmiratimit të saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.Ndryshe,me formulimet e tashme, nga njera anë sikur pretendon të vendosë një status që “menjanon ndjenjen e të qenit nën sundimin e tjetrit”,por që,nga ana tjetër,të kufizon po atë ndjenjë “me të mosqenit plotësisht i mosvarur”.Përplasjet që po shpërfaqën ndërmjet dy pikëpamjeve të skajshme janë,në fakt,përplasje të atyre që zgjidhjen e plotë të çështjes së Kosovës e shohin si proces dhe të tjerëve që,të ushqyer me premtime e zotime,të shumtën “pa mbulesë”, zgjidhjen e çështjes së Kosovës e duan menjëherë dhe të plotë.



3. Decentralizimi në Pakon e Ahtisaarit shihet si kërcënimi më i madh për të ardhmen e Kosovës,veçanërisht  mundësia e lidhjeve  horizontale të komunave me shumicë serbe dhe raporti i tyre me  Beogradin. Vlerësimi juaj?

Më duhet të (ri)përsëris një pohim timin shumë më të hershëm se “shtizat do të thyhen”pikërisht në planin e decentralizimit,meqë ai po vendoset mbi parimin territorial dhe etnik dhe asimetrik.”Të drejtat shtesë”për serbët,niveli i lartë i administrimit në komunat e tyre,me kompetenca me të gjera se komunat e tjera,lidhjet zinxhirore të komunave serbe dhe mundësitë e lidhjeve të posaçme të tyre me Beogradin dhe të financimit prej tij përbëjnë,jo vetëm shqetësimin më të madh,por edhe kërcënimin  me rrezikun më të madh  për të ardhmen e Kosovës.Propozimet në fushën e decentralizimit nuk kërcënojnë vetëm me rrezikun e defunksionalizimit të institucioneve,por edhe të mosshtrirjes së qeverisjes së tyre dhe të ndikimit të tyre në ato pjesë të territorit që parashihet të vendosen nën kontrollin e pakicës serbe,pra kërcënojnë  me rrezikun e moszbatimit unik të ligjeve në gjithë territorin e Kosovës dhe shkëputjen e lidhjeve të pushtetit vendor të serbëve me pushtetin qëndror të Kosovës.Varianti i mundshëm më i dëmshem do të ishte krijimi i entitetit serb,me mundësi të institucionalizimit të tij që kurdoherë do të kërcënonte me ndarje,me gjithë premtimet dhe zotimet e zyrtarëve ndërkombëtarë se “nuk do të ketë ndarje”,ndërkohë që,në të vërtetë,Kosova është e ndarë.    




4.Çka pritni prej bisedimeve të Vjenës tani,për kinse “rishqyrtimin” e propozimit të Ahtisaarit?

“Ndeshja e nisur”duhet të përfundojë,qoftë edhe pa rezultat. Bashkësia ndërkombëtare as vetë nuk ka qenë e bindur se do të mund të arrihej ndonjë produkt nga bisedimet.Prandaj,atë bindje e ka edhe për “lojën shtesë”e cila vështirë se do të ndryshojë shifrat.Bashkësisë ndërkombëtare i duhet që “të arsyetojë” një,si e kam quajtur, “investim joekonomik”të saj.Nuk mund të “ndryshojnë mendje”ata që me “një mendje”kanë aktruar në Vjenë.Vazhdimi i bisedimeve bashkësisë ndërkombëtare  më shumë i duhet  për t’u  arsyetuar para palëve se “është dëgjuar mendimi i tyre”,por se është vetë ajo që “e mbyllë ndeshjen”me rezultatin të cilin shumë më heret “e ka ditur”. 



5.Si e vlerësoni protestën e lëvizjes “Vetëvendosje”?

E gjykoj se është e drejtë demokratike e të gjithë qytetarëve që të shfaqin pakënaqësi me rrjedhat në shoqëri.Lëvizja “Vetëvendosje”ka një vlerësim të vetin për procesin negociator dhe Pakon e Ahtisaarit dhe pakënaqësinë e shpreh në mënyrën e vet.Eshtë thënë  se dhuna është e papranueshme, pavarësisht se nga cila  anë  shfaqet në protesta që mëtojnë të jenë të qeta.Ndryshe,me një shkrim timin të paradyvjetshëm pata tërhequr vërejtjen se vetëvendosja ”as nuk duhet të ndiqet dhe as të burgoset”,sepse çështja e Kosovës është,në thelb,çështje e vetëvendosjes.Në shoqëri duhet krijuar klimë që pakënaqësitë të shfaqen në udhë të miratueshme nga të gjithë.  




6.Kush është përgjegjës, sipas jush,për dhunën e shkaktuar, ku humbën jetën 2 protestues?

Hetimet do të tregojnë se kush ishte përgjegjës,me kusht që të jenë korrekte dhe të përgjegjshme.Nuk kisha dashur që “hetimet të vazhdojnë”pa fund,në mënyrë që të mos identifikohen përgjegjësit. 



7.A mjaftojnë  dorëheqjet e dhëna(Fatmir Rexhepi, Steven Curtis), apo duhet të ofrojë  dorëheqje edhe dikush tjetër, edhe pse përgjegjësisë nuk mund t’i ikësh vetëm me dorëheqje. Komenti juaj?

Në pyetjen tuaj është një pjesë e përgjigjes sime.Ekzistojnë veprime ose mosveprime të titullarit të funksionit publik të cilat,me peshën e vet dhe ndikimin e drejtpërdrejtë ose të tërthortë në ngjarje të caktuara,e bëjnë të pamundshme objektivisht mbetjen e titullarit të funksionit publik në post të caktuar.Mirëpo,dorëheqja nuk është dhe nuk mund të jetë mjet i vetëm për t’iu shmangur përgjegjësisë,kur ajo të identifikohet.Dorëheqja ndërlidhet me përgjegjësinë politike. Ka edhe lloje të tjera të përgjegjësisë.




8.Cila do të jetë prezenca e ardhshme ndërkombëtare pas statusit.Flitet për një prezencë të lehtë,por ka ende paqartësi. Komenti juaj?

Nuk e mendoj se bëhet fjalë për “prani të lehtë ndërkombëtare”. Bashkimi Evropian,si udhëheqës i Misionit të Pranisë Ndërkombëtare Civile në Kosoven e passtatusit, përveç rolit mbikëqyrës,do të ketë edhe kompetenca ndërhyrëse ekzekutive në rast të moszbatimit të vendimit për statusin e ri të Kosovës,por edhe rol të rritur,veçanërisht në fushën e rendit dhe të ligjit.Një problem në vete paraqet pasaktësimi i periudhës së pranisë ndërkombëtare civile.Nëse ajo prani do “të zgjatej pa fund”në Kosovë do të krijojë një mentalitet të ri vartësie.Plani i Bosnjës është dëshmuar si i dështuar.Nuk do të dëshiroja që “Bosnja të përsëritet në Kosovë”. 



9.Pse duhet të shpërbëhet TMK-ja, e të krijohet një forcë e re e Sigurisë në Kosovë. Pse të ndodhë kjo?  Komenti juaj?

Më falni për një vërejtje:pyesni ata që rekomandojnë shpërbërjen e TMK-së,emblemën e vetme të luftës.Ju e dini se ende qarkullojnë opinione të paqëndrueshme se në Kosovë,në fakt,nuk kishte luftë,por vetëm një konflikt.Pasojat e shpërbërjes së TMK-së mund të jenë më të dëmshme se në shikim të parë.Duhet të jemi shumë të vëmendshëm,sepse bëhet fjalë për një çështje shumë të ndieshme.