(Intervistë për gazetën “Lajm”, 5 shkurt 2009)

“Lajm”: Në librin e fundit “Shteti-shqyrtime të përgjithshme teorike me vështrim rasti i Kosovës”  citojmë: “Ndërtimi i shtetit është krijimi i institucioneve të reja dhe fuqizimi i atyre ekzistuese”(Fukuyama). Në këtë
kontekst, si e shihni rrjedhën dhe perspektivën e Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë në krijimin e institucioneve të reja qeverisëse dhe fuqizimin e atyre që kanë ekzistuar ?

Stavileci: Rrjedha nuk është ajo që është pritur, perspektiva varet pikërisht prej rrjedhave nëpër të cilat po kalon Kosova.Në Kosovë ende ka më shumë imitim të demokracisë sesa demokraci të mirëfilltë dhe për pasojë ajo ende nuk ka arritur që institucionet e reja qeverisëse t’i veshë me parimet dhe standardet e demokracive perëndimore. Jam shumë i ndërgjegjshëm se koha është relativisht e shkurtër për arritje kulminante, por gjithashtu jam i ndërgjegjshëm  se shumica e rrjedhave varet nga starti i tyre  dhe krijimi i bazamentit për të ecur rrugës, qoftë të fuqizimit të atyre ekzistuese, qoftë të atyre që krijohen ndërkohë.Ne po ndërtojmë një ngrehinë të re.Do të varet shumë se mbi cilat themele po e bëjmë këtë.Nuk do të dëshiroja që të na shembën themelet, pa i ngritur kulmet.

 “Lajm”: Sid he sa korrespondojnë pesë “krizat” e M.Roskinit(Identiteti, legjtimiteti, depërtimi, pjesëmarrja dhe shpërndarja)në formësimin e dekadës së fundit të shtetit të Kosovës ? Konkretisht, mund të nxirrni ndonjë përafri për vitin e fundit ?

Stavileci: Në këtë fazë të zhvillimit të shtetit të Kosovës nuk mund të flitet për reflektim të plotë të teorisë së M.Roskinit, aq mq parë ngase ende nuk ka arritje të suksesshme në konsolidimin e demokracisë politike, ende nuk ka ecuri të zhvillimit ekonomik, sepse ende nuk ka procese që bëjnë të mundshme reformat në këtë fushë. Prandaj, Kosova do të vazhdojë edhe për një kohë të përballet me shumicën nga “pesë krizat” në zhvillimin e shteteve, për të cilat flet Roskini, veçanërisht ato të identitetit, legjitimitetit dhe qeverisjes.

“Lajm”: Kanë mbetur vetëm pak ditë nga promovimi i një ndër veprave të rëndësishme të mundit Tuaj shkencor akademik “Rrugëtimet dhe labirintet e Kosovës dhe të shqiptarëve- pavarësia e Kosovës fakt i ligjshëm që nuk mund të zhbëhet”. Me çfarë ka të bëjë kjo vepër ?

Stavileci: Kam identifikuar njëzet boshte të argumentimit të pavarësisë së Kosovës, nga e drejta për vetëvendosje, historia e popullit shqiptar dhe aneksimi i Kosovës nga  Serbia, autoktonia, shtrirja etnike, përbërja kombëtare e popullsisë, të qenët e Kosovës njësi federale e ish-Jugosllavisë dhe zhbërja e saj, gjenocidi serb ndaj shqiptarëve, deri te themelësia formale teorike e shtetit, baza shoqërore dhe qëndrueshmëria ekonomike dhe të mosqenët e pavarësisë së Kosovës si zgjidhje e plotë e çështjes, por vetëm “zgjidhje e balancuar për kohën”.

“Lajm”: Keni thënë ,  citojmë : “Kosova i ngjan fëmijës së posalindur dhe që ‘mbahet me infusion”.Pse mendoni kështu ?

Stavileci: Nuk ka nevojë për shumë  koment. Kosova po hyn në njëvjetorin e shpalljes së pavarësisë pa qëndruar ende në “këmbët e veta”.
E para, Kosova ende “mbahet për dore”nga ndërkombëtarët.
E dyta, Kosova ende nuk ka dalë plotësisht nga rrethi në të cilin ishte mbërthyer me vendosjen e pranisë ndërkombëtare dhe ende “mbahet në trajtim ndërkombëtar”.
E treta, Kosova ende nuk është pavarësuar plotësisht që t’i marrë të gjitha përgjegjësitë për të qenë “zot i vetvetes”.
Përfundimisht, duhet të tërhiqet një vijë kufitare në mes të drejtës së ligjshme të saj për të qenë shtet dhe krijimit të “hapësirës” për të funksionuar si i tillë.
Pavarësia e Kosovës duhet të “çlirohet nga prangat”, në të cilat e ka mbërthyer Rezoluta 1244 dhe, njëkohësisht, duhet të lirohet nga kushtëzimet që “ia ka vënë” Plani i Ahtisaarit, duke ia humbur kuptimin e të qenët “akt më i lartë juridik”.
Për të funksionuar si shtet me domethënien e plotë të tij, duhet të vishet me sovranitet të plotë dhe të aderojë në mekanizmat ndërkombëtare. Përherë e kam tërhequr vërejtjen se një vend ose është, ose nuk është shtet; ose është, ose nuk është i pavarur; ose është, ose nuk është sovran.

“Lajm”: Pse thoni se bërja e shtetit të Kosovës është më shumë sesa deklarimi për të ?

Stavileci: Ka një dallim thelbësor mes deklarimit të shtetit dhe bërjes së tij, prandaj konsideroj se bërja e shtetit është më shumë sesa deklarimi i tij.
Deklarimi i shtetit është një fazë e bërjes së shtetit, por jo edhe i tërë procesi i shtetkrijimit, me të gjitha atributet që i vishen shtetit  si një krijesë shoqërore.. Për të qenë një shtet në kuptimin funksional, Kosova sfidohet me mbrojtjen e integritetit territorial, me shtrirjen e pushtetit, ligjit dhe kontrollit në gjithë hapësirën territoriale të tij, me supremacionin e kushtetutës së saj ndaj të gjitha rregullave  të tjera dhe me veshjen e tij me
Sovranitet të plotë.Natyrisht, do të kalojë edhe një kohë që në Kosovë i tërë procesi  i shtetkrijimit  të përfundojë në mënyrë të kryer dhe të përkryer.

“Lajm”: I jeni drejtuar me një letër ministrit serb, Vuk Jeremiq. Pse jeni detyruar që të  ndërmerrni këtë hap “individual”, kur dihet se tashmë e kemi institucionin e Ministrisë së Punëve të Jashtme ?

Stavileci: Ministrit të Jashtëm serb, Jeremiq, i jam drejtuar me letër në mungesë të përgjigjes nga institucionet, sepse ai e shtroi dhe e “problematizoi” çështjen e një kishe serbe në Gjakovë, pa vra mendjen për barbarinë serbe dhe gjenocidin e pushtetit serb ndaj monumenteve historike, kulturore dhe fetare në Kosovë gjatë luftës 1998-1999, por duke i bërë  një vështrim të shkurtër edhe vazhdimësisë së akteve dhe veprimeve gjenocidale serbe ndaj shqiptarëve. Përmenda shembullin e kompleksit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit që kishte pësuar nga lufta, por edhe 218 xhami që ishin demoluar, rrënuar ose djegur prej akteve të shfrenuara të pushtetit serb në Kosovë, duke ia tërhequr vërejtjen se drejtësia vonon, por megjithatë arrin dhe se do të arrijë edhe në Kosovë.

“Lajm”: Libri i 33-të  do të shoqërohet edhe me një DVD. Për çfarë është fjala ?

Stavileci: Kam përmbledhur dhe kam përzgjedhur fjalën time publike për Kosovën dhe çështjen shqiptare të dhjetë  vjetëve të fundit (1999-2009)në një DVD dyorëshe, duke shënuar saktësisht datat se kur dhe për cilat rrjedha kam tërhequr vërejtjen. Mendoj se bëhet fjalë për një dëshmi të një kohe, të shoqëruar me shumë hamendje të bashkësisë ndërkombëtare rreth statusit të Kosovës deri te “pavarësia e mbikëqyrur”, e cila qoftë edhe si e tillë, kontestohet nga Serbia. Ky kontestim më ka motivuar që në librin “Rrugëtimet dhe labirintet e Kosovës dhe të shqiptarëve…”, si një ndihmesë për dëshmitë për Kosovën para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, t’i përmbledh argumentet  historike, politike, ekonomike, kushtetuese- jurdike, ndërkombëtare e të tjera, në të cilat mbështetet e drejta e Kosovës për pavarësi.

“Lajm”:Promovimi i argumenteve fillon në Bernë. “Rugëtimet dhe labirintet  e Kosovës dhe të shqiptarëve – pavarësia e Kosovës – fakt i ligjshëm që nuk mund të zhbëhet”është libri i 33 –të i akademik Esat Stavilecit. Me 800 faqe, me 150 faqe në anglisht, me strukturë gjithëpërfshirëse, me pikënisje boshtet e argumentimit të pavarësisë së Kosovës, variacionet e Evropës me Kosovën dhe shqiptarët, nga copëtimi 
I trojeve etnike deri te 6-pikëshi i Ban Ki Munit dhe letra e hapur në adresë të ministrit Jeremiq,etj., deri te përfshirja e disa teksteve autoriale të gjashtë akademikëve të njohur shqiptarë.
Libri do të promovohet në Bernë(Zvicër)më 13 shkurt 2009, ndërsa paraqitje do të ketë tri ditë më vonë në Tiranë dhe në Gjakovë, nga gjysma e dytë e muajit shkurt.