ZGJEDHJET E PËRGJITHSHME NË KOSOVË NË FUNKSION TË QETËSIMIT TË GJENDJES DHE TË PËRBALLIMIT TË PENGESAVE

Kosova ka mbetur pa adresë të vetën,pa organet e veta dhe pa autoritetet e veta.Do të jetë vështirë të qetësohet gjendja dhe të përballohen pengesat pa u gjendur adresa,pa u zgjedhur organet,pa u emëruar autoritetet e Kosovës ,të cilat,do të mund të ishin dhe të bëheshin krah i  Juaji i fortë në përpjekjet për ta ndërtuar të ardhmen e Kosovës.

 

Janë më shumë arsye që më shtyejnë t’ju drejtohem në këtë mënyrë.E para,ndërlikueshmëria e gjendjës në Kosovë.E dyta, ndërlikueshmëria për të kuptuar shkaqet që sollën atë gjendje.E treta, ndërlikueshmëria e masave që duhet të ndërmerren për përballimin e saj.

Populli i Kosovës është i ndërgjegjshëm për ndryshimet e rëndësishme pozitive që kanë ndodhur në Kosovë, ç’ prej se ajo është vendosur nën Administrimin e Përkohshëm Civil Ndërkombëtar.Para më shumë se një vjet e gjysëm,gjendja në Kosovë ishte shumë e errët; ishte shumë e tensionuar,në një shkallë të përgjithshme të saj;mbi një milion njerëz ishin të frikësuar dhe dhunshëm të dëbuar,  të ndjekur,  të uritur, të pastrehë.Me ndërhyrjën e trupave të NATO-s në Kosovë,tek populli shumicë i saj u kthye besimi në bashkësinë ndërkombëtare. Ndonëse nuk u çlirua tërësisht,Kosova hyri në një fazë, e cila, premtonte një siguri më të madhe të njerëzve dhe, përgjithsisht, një perspektivë më të ndritshme për një popull, historikisht, shumë të vuajtur. Megjithatë, ndodhitë  në Kosovë nuk u zhvilluan në drejtimin e duhur dhe,për pasojë sot kemi :

Së pari,qytetin e ndarë të Mitrovicës,me shpërthime të vazhdueshme të konflikteve në të.

Së dyti,mbajtjen në burgjet serbe të mijëra shqiptarëve të evidentuar dhe mungesën e informacioneve për të tjerët “të paevidentuar”.

Së treti,qarkullimin e lirë të forcave serbe në “territorin e lirë të Kosovës”.

Së katërti,vazhdimin e akteve të dhunës.

Së pesti,mungesën e rendit dhe të qetësisë në Kosovë.

Kur gjithë kësaj i shtojmë edhe shqetësimet nga Lugina e Preshevës,ndërlikueshmëria e gjendjës bëhet shumë e qartë dhe pesha e saj shumë e rëndë.

 

Z.Kryeadministrator,

Këtë letër nuk po e shkruajmë me qëllim “të mbajtjes së leksioneve”, sepse jemi shumë të vetëdijshëm për angazhimin Tuaj dhe për zotimin Tuaj që t’i dalë në krye problemeve me të cilat ballafaqohet sot Kosova.Qëllim i vetëm i letrës sonë është që t’ju përkujtojmë disa fakte relevante historike,politike,konstitucionale-juridike dhe ndërkombëtare, të cilat duhet t’i keni parasysh me rastin e shqyrtimit të gjendjës në Kosovë, për të kuptuar drejtë,qoftë ndërlikueshmërinë e shkaqeve që sollën atë,qoftë ndërlikueshmërinë  e masave që duhet të ndërmerren për përballimin e saj.

Sado që neve shqiptarëve  “na rekomandohet” që të mos i kthehemi historisë,ju lutemi që,së paku,fragmentarisht,t’i qaseni asaj,sepse aty do të gjeni shumë nga shkaqet që kanë shkaktuar këtë gjendje të sotme në Kosovë.

Historia politike e çështjës së Kosovës ,sikurse,përndryshe,edhe historia e çështjës shqiptare në përgjithësi,flet mbi padrejtësitë ndaj shqiptarëve

Pa analizuar shkaqet,sepse ato nuk pretendojnë të jenë objekt i kësaj letre,sa i përket çështjës së Kosovës dhe çështjës shqiptare, tërheqim vëmendjen Tuaj se ose është cenuar rëndë tërësia territoriale shqiptare ose është bërë përpjekje që të shlyhet ajo nga harta gjeopolitike.  Na lejoni që t’ju përkujtojmë se çështja e Kosovës është sajuar si çështje e veçantë pikërisht me okupimin serb të trojeve etnike shqiptare, i cili u bë me copëtimin e territorit etnik shqiptar që e miratoi Konferenca e Londrës(1913), për ta vulosur, së dyti, Konferenca e Versajës (1918-1920), kështu që në udhëkryqin e luftërave ballkanike, gjysma e kombit dhe më se gjysma e trojeve të shumicës etnike shqiptare nuk u gjend vetëm jasht shtetit të ri shqiptar, por u gjend e okupuar nga shtetet fqinjë ballkanike,kryesisht nga shteti serb.Prandaj,edhe represioni, dhuna e terrori i tashëm i pushtetit serb ndaj shqiptarëve, si në veri të Kosovës, ashtu dhe në Kosovën Lindore,e cila padrejtësisht po emërtohet si “Luginën e Preshevës”,që është vazhdimësi e gjenocidit të ushtruar ndaj shqiptarëve,është vetëm një shprehje e vrazhdë e konfliktësisë në sferën politike rreth Kosovës.Ju përkujtojmë se konfrontimi ndërmjet kombit serb dhe kombit shqiptar në Ballkan është zhvilluar në kushte tejet të pabarabarta për kombin shqiptar dhe se epërsia e pushtetit në anën e palës serbe është  përcjellur  si vertikale historike.

Vështrimin tonë të shkurtër historik në këtë letër po e mbyllim me vërejtjën se shqiptarët,qoftë ata në Kosovë,qoftë ata në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë(Kosovë Lindore),janë në trojet e veta etnike,popull autokton; ata aty kanë formësuar etnitetin e vet dhe kanë ndërtuar identitetin e vet kombëtar; ata në ato troje mbrojten qenien e vet kombëtare dhe në to mendojnë të ndërtojnë të ardhmen e vet, meqë në ato territore kanë gjithë historinë e tyre,traditën,trashëgiminë,kulturën,shtresëzimin social,komunikimet dhe raportet me popujt e tjerë për rreth.Më në fund,popullata shqiptare në Kosovë dhe territori i saj etnik, gjatë gjithë historisë ka jetuar dhe ka funksionuar si një bashkësi etnike.Prandaj,janë me interes shqyrtimet e çështjës së kontinuitetit historik të Kosovës.Në fakt,historia e çështjës së Kosovës është e pashmangshme për çdo shqyrtim të problemit të Kosovës.

Jemi shumë të ndërgjegjshëm për hyrjen relativisht të gjatë në këtë letër ,mirëpo ishim shumë të bindur se ajo ishte e domosdoshme për t’iu përgjigjur tri pyetjeve me shumë interes për të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës


E para,pse është e arsyeshme që periudha kalimtare për Kosovën të rregullohet me kushtetutë, e jo me “kornizë juridike”;

E dyta,pse është e papranueshme ndarja e Mitrovicës dhe “kantonizimi i Kosovës”;

E treta,pse është juridikisht e pathemeltë mbajtja e mëtejshme e shqiptarëve në burgjet serbe.

 

Zotëri i nderuar,

1.Kosova përfaqëson një territor të gjerë me individualitet të fuqishëm demografik,politik dhe kombëtar dhe është fakt i pakontestueshëm se ai, në transferzalën e tij makroetnike, Kosovën e dallon dhe e ndan plotësisht nga territori i Serbisë.Prandaj,ju përkujtojmë se raporti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të vështrohet vetëm si raport i dy tërësive territoriale etnike të veçanta, plotësisht të ndryshme, për nga kompozicioni etnik, të cilat, si të tilla, nuk mund të jenë ose “të vendosen në pushtetin njëetnik”.Ju përkujtojmë ,gjithashtu,se edhe në qenien e Kosovës pjesë përbërëse dhe njësi federale e ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, të konstituuar sipas Kushtetutës së vitit 1974, Kosova kishte kufijtë e vet të caktuar dhe të garantuar me Kushtetutën federative dhe kushtetutën e saj,e cila ,po sikurse edhe kufijtë e Kosovës, nuk mund të ndryshoheshin,pa pëlqimin e autoriteteve të saj.Me ndryshimet kundërkushtetuese të vitit 1989 në Serbi,u rrënua pozita kushtetuese e Kosovës,si pasojë e kërcënimeve nga më të ndryshmet që u ushtruan në deputetët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës gjë që,së bashku me shtrembërimet procedurale që u bënë gjatë seancës së tij,flet se vendimi nuk qe valid.Më në fund,shqiptarët e Kosovës,u deklaruan,më se një herë, se dëshirojnë të jetojnë në territorin e vet me ligjet e veta dhe se ai është dhe mbetet vullnet i palëkundur i tyre.Kur gjithë kësaj i shtojmë edhe faktin për shpërbërjen e ish-Jugosllavisë dhe realitetin e ri të krijuar në Kosovë me vendosjen e saj nën Administrimin e Përkohshëm Civil Ndërkombëtar,gjërat sikur bëhen gjithnjë më të qarta në favor të përcaktimit që periudha kalimtare për Kosovën duhet të rregullohet dhe mund të rregullohet me kushtetutë,e jo me “kornizë juridike”.Rregullimi me kushtetutë i periudhës kalimtare për Kosovën do të shënonte vetëm vazhdimësinë historike të mëvetësisë dhe të subjektivitetit të Kosovës.Bërja me kushtetutë e Kosovës është një e drejtë veç e gëzuar e saj,e cila,sipas parimit të njohur juridik për këtë,nuk mund të cenohet.

2.Në lidhje me shqyrtimet për Mitrovicën,e cila vazhdon të mbahet padrejtësisht e ndarë, rekomandojmë se komponentë nisëse e tyre mund të jetë dhe duhet të jetë struktura etnike e Kosovës, e cila, flet për shumicën dominante demografike shqiptare, si një realitet kombëtar-demografik-territorial i popullit shqiptar në Kosovë dhe jo “struktura heterogjene kombëtare” ,në emër të së cilës “do të mund të arsyetohej ”ndonjë model  “i kantonizimit të Kosovës”. Prandaj,çdo persiatje eventuale për ndarjen e Mitrovicës ose “kantonizimin e Kosovës” është e pabazë,meqë prapa vetës nuk ka fundament “të ndarjeve reale etniko- territoriale në hapësirën e saj”.Përkundrazi,shumica etnike shqiptare paraqet karakteristikë të të gjitha makrozonave të saj.Kërkesa për ndarjen e Mitrovicës ose për “kantonizimin e Kosovës” fsheh në vete një tendencë e cila,objektivisht,është në dëm të zgjidhjes së drejtë ndërkombëtare të çështjës së Kosovës.Ajo nuk është në përputhje me “kuantumet dhe proporcionet relative demografike dhe kombëtare, shprehimisht të ndryshme”.Ju përkujtojmë se Kosova nuk paraqet territor diversifikativ etnik të karakterit enklav.Prandaj,përthekimi i dhunshëm politik i territorit nuk është dhe nuk mund të jetë në përputhje me entitetin burimor politik të atij territori.Në lidhje me shqyrtimet për Mitrovicën, dëshirojmë t’ju përkujtojmë se  problemi administrativo -juridik i saj u lind me shndërrimin e bashkësisë lokale të Zveçanit në komunë të veçantë nga Kuvendi i Serbisë, në vitin 1995,pra nga një organ jolegal dhe jolegjitim për të marrë vendime për organizimin administrativ dhe territorial të Kosovës,sikurse që dëshirojmë t’ju përkujtojmë se Mitrovica, me tri komunat veriore, përfshin një sipërfaqe prej 2.149 km2,përkatësisht 18.6 % të territorit të Kosovës,ndërsa na duket se nuk ka nevojë të theksojmë se Mitrovica, me rrethinë, paraqet qendër shumë  të rëndësishme ekonomike,të cilën historikisht,kanë synuar ta pushtojnë dhe ta administrojnë të huajt,pikërisht siç po pretendon ta bëjë këtë pushteti serb,duke e mbajtur “nën kontroll” pjesën veriore të saj.Prandaj,është dhe do të jetë në mandatin Tuaj të ndërmerrni veprimet me të cilat do të ruhej tërësia territoriale dhe administrative e Mitrovicës,sikurse edhe e pjesëve të tjera të enklavizuara nga serbët në Kosovë.

Nuk është hera e parë dhe,sigurisht se,nuk do të jetë hera e fundit,që po shfaqim mendimin tonë në lidhje me mbajtjen peng të mijëra shqiptarëve në burgjet serbe.


I nderuari Kryeadministrator për Kosovën,

3.Ju pyesim se “mbi çfarë baze mbahen peng”shqiptarët në burgjet e Serbisë,kur dihet se Serbia nuk ka më asnjë kontroll mbi Kosovën ? Pse heshtet nga ana e kompetentëve ndërkombëtarë një prej problemeve më të ndieshme të shqiptarëvë të Kosovës ? A është arsyetim i mjaftueshëm i tyre “mangësia “e dokumentit të Kumanovës? Këtij vargu të pyetjeve do të mund t’ i shtonim edhe shumë të tjera.

Ju përkujtojmë se Serbia,me dekada të tëra, ka ushtruar në Kosovë forma nga më të ndryshme të terrorit shtetëror dhe të gjenocidit ndaj shqiptarëve,të ndëshkuara me konventa ndërkombëtare.Bashkësia ndërkombëtare  është tregua “e pafuqishme” deri me ndërmarrjen e bombardimeve ndaj caqeve serbe dhe me ndërhyrjen e trupave të veta në Kosovë,në vitin 1999.Prania ndërkombëtare i rriti shpresat tek shqiptarët se ajo do të merret me zgjidhjen e problemeve të akumuluara të tyre dhe tek ta.Një prej problemeve që ka rëndua mbi shqiptarët është mbajtja e mëtejshme e të rinjve dhe të rejave në burgjet serbe.

 

Z.Haekkerup,

Kërkojmë ndjesë që letra jonë ishte e gjatë ,mirëpo ju sigurojmë se edhe shumë të dhëna të tjera na kanë ngelë pa i përfshirë në përpjekjet për të bërë një faktografi për Kosovën dhe gjendjen në të.Ne kuptojmë se parakusht për masa të mëtejshme është qetësimi i gjendjes,sikurse që thuani se zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë mund të mbahen pasi që  të përballohen pengesat.A keni menduar edhe për mundësinë e kundërt të veprimeve ? Ka shumë faktorë pozitivë që favorizojnë mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë sa më shpejtë që do të jetë e mundshme dhe atë,pikërisht,për qetësimin e gjendjes dhe për përballimin e pengesave.

Kosova ka mbetur pa adresë të vetën,pa organet e veta dhe pa autoritetet e veta.Do të jetë vështirë të qetësohet gjendja dhe të përballohen pengesat pa u gjendur adresa,pa u zgjedhur organet,pa u emëruar autoritetet e Kosovës ,të cilat,do të mund të ishin dhe të bëheshin krah i  Juaji i fortë në përpjekjet për ta ndërtuar të ardhmen e Kosovës.