Zotëri i nderuar,
Shkas i drejtpërdrejtë që t’ju drejtohem me këtë letër është një deklaratë e Juaj e bërë publike ditë më parë në lidhje me Kosovën dhe të ardhmen e saj dhe porosia e Juaj:”Kosovarë, përgatituni për kompromise”.
Pa “hyrë fare”në çështjet që do të mund të diskutoheshin se a i përket mandatit Tuaj adresimi i porosisë;sesa ishte ky një veprim Juaj diplomatik, edhe po qe se “ishte i porositur”,

 

 

dhe cili ishte shkasi për t’u bërë një adresim të tillë “kosovarëve”në kohën kur ata,megjithë deklaratën Tuaj,”jetojnë në pritje të mëdha”,më lejoni që,duke mos pasur ndonjë mundësi tjetër të komunikimit të drejtpërdrejt,të theksoj disa momente nga historia e hershme dhe më e re politike e Kosovës që ndoshta,në mos asgjë tjetër,do të plotësojnë përfytyrimin e Juaj për  Kosovën dhe të ardhmen e saj.
Përpara se t’i kthehem historisë së çështjes së Kosovës,megjithë rekomandimet e Juaja që “të shikojmë përpara”,më lejoni që të shpreh konsideratën për mendimet Tuaja,sado qoftë të vonuara,se megjithatë,është statusi dhe mungesa e tij, ai që ka lënë të bllokuara shumë procese zhvillimore në Kosovë.Kështu,më në fund,edhe prej Jush ka një konfirmim se:”ekonomia nuk do të ecë  përpara,përderisa statusi të mos qartësohet”;se “decentralizimi është i ndërlidhur ngushtë me çështjen e zgjidhjes së statusit”;se “e gjithë puna rreth mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave të pakicave,është poashtu e ndërlidhur me çështjen e statusit” dhe duke i përmendur katër nën-prioritete,siç shpreheni Ju:kthimi i refugjatëve,liria e lëvizjes,çështjet pronësore dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore e fetare,Ju sikur vërtetoni tezën se “është e pamundshme përmbushja e standardeve para statusit”,edhe pse këtë nuk e shprehni,për shkaqe që mund “të mirren me mend”.                                           

Shkëlqësi,
Nuk jam pa njohuri për politikën dhe proceset politike që të mos kuptoj domethënien e kompromisit në politikë dhe në proceset politike,por,më lejoni që pikërisht duke “iu kthyer” historisë së hidhur të Kosovës të shpreh mendimin tim se cili është kompromisi që do të mund të bëhej në lidhje me Kosovën dhe të ardhmen e saj në të cilin,siç më thotë mendja,nuk keni menduar Ju.
E para,çështja e Kosovës “është sajuar”me copëtimin e trungut etnik shqiptar dhe ky fakt është shumë domethënës për të kuptuar esencën e problemit të saj.
E dyta, Kosova është aneksuar me 1912,me 1918,me 1945,ndërsa me 1989 prej Kuvendit të saj është kërkuar që “të deklarohet për kufizim të vetvetes”.
E treta, në kohën kur harta politike dhe gjeografike e ish-Jugosllavisë kishte marrë “një pamje dhe një strukturë tjetër”,Kuvendi i Kosovës deklaroi vullnetin politik”për të qenë zot i fatit të vetë politik në suaza ndërkombëtare, përcaktim ky që,megjithatë, nuk u shoqërua edhe me njohjen ndërkombëtare të tij.
E katërta, me rastin e themelimit të krijesave të reja artificiale-shtetërore,RFJ në vitin 1992, dhe Unioni Serbi-Mali i Zi, në vitin 1993,Kosova me asnjë akt të vetin dhe në asnjë mënyrë,nuk dha miratimin e vetë,sepse vërtetë nuk kishte asnjë arsye që “të ngërthehet”brendapërbrenda kreaturave politike, nga të cilat kishin dalur edhe vetë popujt e trungut sllav.
E pesta,qëndrimet posesive serbe për Kosovën, si “djep i popullit serb ” dhe si“djep i shtetit”serb,janë të pathemelta dhe të paqëndrueshme shkencërisht dhe nuk përkojnë me të vërtetën materiale historike.Madje,autoktonia e shqiptarëve “nuk është fakt primar që pohimin posesiv serb mbi Kosovën si tokë serbe e bën të pabazë,por në rradhë të parë këtë pohim e bën të pabazë realiteti etnik-nacional i Kosovës me shumicë demografike të popullit shqiptar në Kosovë”.

Z.Petersen,
Ekzistojnë “disa boshte strumbullare që shprehin individualitetin dhe mëvetësinë e Kosovës”dhe brendapërbrenda tyre duhet kërkuar kompromisin për Kosovën,sepse ato boshte,”si determinante socio-politike e fuqizojnë dhe e formësojnë,në mënyrë burimore”,statusin e shtetit të Kosovës.
Duke pasur parasysh “kohën Tuaj shumë të shtrenjtë”,më lejoni që,pa hyrë në zbërthim më të thellë,vetem t’i theksoj disa prej tyre.Boshti i parë dhe kryesor i mëvetësisë së Kosovës është “realiteti kombëtar demografik-territorial i popullit shqiptar në Kosovë”. Boshtin e dytë e përbën “individualiteti kompleks historik,gjeografik,struktural-kombëtar dhe politik i Kosovës”.Boshtin tjetër e shpreh ”individualiteti dhe barazia e kolektiviteteve nacionale për pavarësi”. Mirëpo, megjithatë,në krye të të gjitha boshteve, është vullneti politik i popullit të Kosovës për pavarësi dhe nuk ma thotë mendja se,duke pasur parasysh atë vullnet,të shprehur qysh më heret,të fuqizuar në Luftën e UCK-së dhe të përfshirë në programet e partive politike dhe të institucioneve të Kosovës,do të mund të ishte në përputhje me logjikën e përgjithshme dhe me atë konstitucionale-jurdike,në veçanti,që Kosovës “t’i sugjerohet kompromisi” që nuk do të merrte parasysh atë vullnet që,përndryshe edhe në pikëpamje të së drejtës ndërkombëtare,përbën përcaktuesin e vetem real për të ardhmen e një populli.
Jam i vetëdijshëm për mundësinë e bërjes së analizave që i shtrojnë problemet “në kuptim të saktë të realitetit historik” që “i kundërshton si iluzionet e dëmshme,ashtu dhe vlerësimet e gabuara”,madje edhe “spekulimet qëllimkëqija”për “bashkime të reja ballkanike”.Shqiptarët e Kosovës,duke kërkuar mbështetje pikërisht në realitetin historik kur vendoset për fatet e tyre,i drojnë “vlerësimeve të gabuara” dhe veçanërisht “spekulimeve qëllimkëqija”për “bashkime të reja ballkanike”që do të paraqisnin vërtetë një “investim të dështuar”të bashkësisë ndërkombëtare.
Njohja e Kosovës si shtet i pavarur është sot,padyshim,një zgjidhje “realisht e balancuar e kohës dhe në drejtpeshim përbrenda horizontit të kohës në Ballkan”.Ajo nuk paraqet kurrfarë “zgjidhjeje ekstreme”në mënyrë që për “përjashtimin e saj”të kërkohen kompromise.Pavarësia paraqet pikërisht kompromisin e kërkuar,me arsyetimin se ajo paraqitet “me interes të thellë kombëtar,jo vetëm për kombin shqiptar,por edhe për kombin serb në Ballkan”,po sikurse që,me këtë rast,sado që shqiptarët e konsiderojnë si  një proces historik,synimi i tyre ishte dhe mbetet që “të jetojnë të bashkuar”.
Ka shumë të vërteta në pohimet e zyrtarëve ndërkombëtarë se në Kosovë “ka mbetur shumë për t’u bërë”.Edhe unë jam i po atij mendimi,por këtë nuk e shoh si ndonjë pengesë që të mos njihet pavarësia e Kosovës.Natyrisht se pavarësinë  nuk e përjetoj si mundësi që,në mënyrë automatike,të zgjidhen të gjitha problemet me të cilat po ballafaqohet sot Kosova,por e shoh si udhë të daljes nga “një rreth i mbyllur”, brendapërbrenda të të cilit është sot Kosova,sikurse që jam i ndërgjegjshëm për nevojën që në Kosovë të ketë një prani ndërkombëtare edhe pas njohjes së statusit të saj.Kosova duhet të ndihmohet në përpjekjet për ta fuqizuar shtetin e ri dhe për t’i mbrojtur kufijtë e tij.Këtu mbështetet pikëpamja ime, jo për ndonjë “pavarësi të kushtëzuar”ose për ndonjë model të “pavarësisë”pa sovranitet që do të thoshte “vendosjen e kulmit para themelit”,por për një pavarësi “të mbikëqyrur”pikërisht në përmbushjen e detyrave të cilat janë “përcaktuar me standarde” që,sipas një themelësie logjike,do të duhej të ndërlidheshin me anëtarësimin e shtetit të ri në  mekanizmat ndërkombëtare,e jo me “hapjen e negociatave”në të cilat “dini” vetëm se “kur hyni”,por jo edhe se “kur dilni” dhe “si dilni”prej tyre.Duhet të ketë një përkujdesje ndaj  serbëve ,por jo mbi bazën e privilegjeve me të cilat janë mësuar në të kaluarën,por mbi bazën e realitetit që duhet ta njohin.
Prandaj,duke e përfunduar këtë letër dhe duke Ju falenderuar për durimin Tuaj që “të merreni me te”,mendoj se është koha e fundit që bashkësia ndërkombëtare,pra qendrat e vendosjes,jo vetem të theksojnë problemin,por të sugjerojnë rrugët për të përballuar atë;jo vetem  të shprehin shqetësime për konfliktet e mundshme,por që t’i parandalojnë ato me njohjen e vullnetit të popullit shumicë në Kosovë;jo vetem të premtojnë angazhimet për t’a shpënë Kosovën në Evropë,por për ta bërë këtë një realitet.

Me konsideratë të lartë,ju përshendes ngrohtësisht për angazhimin Tuaj.
30 gusht 2005                                                        Akademik Esat Stavileci