Të nderuar ambasadorë,
Pa dyshim se shqetësimi Juaj i shprehur për Veriun e Kosovës,sado i vonuar qoftë,paraqet një kontribut të drejtpërdrejtë për sensibilizimin e gjendjes në atë pjesë të territorit të Kosovës.Cmojmë qëndrimin Tuaj se “nuk do të ketë ndarje të Kosovës”dhe angazhimin Tuaj për integrimin e Veriut të Kosovës në tërësinë institucionale të saj.

 

Megjithate,na lejoni që nëpërmjet të kësaj letre t’ju përkujtojmë  gjenezën e problemit të Kosovës Veriore i cili u krijua me mospërmbushjen e qëllimeve themelore të misionit të KFOR-it dhe të UNMIK-ut me rastin e vendosjes së pranisë ndërkombëtare ushtarake dhe civile në Kosovë,veçanërisht me moszbatimin e atyre dispozitave të Marrëveshjes Tekniko-Ushtarake ndërmjet NATO-s dhe ish RFJ-së dhe të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në lidhje me parandalimin dhe ndalimin  e veprimeve,në mënyrë të posaçme të forcave paramilitare serbe.Për pasojë,një pjesë e mirë e popullatës shqiptare u detyrua të zhvendoset në pjesën jugore të Mitrovicës dhe të Kosovës,ndërkohë që u aty u pozicionuan struktura paralele të Qeverisë së Serbisë dhe në këtë mënyrë Mitrovica dhe Veriu i Kosovës nga një problem i paqenë u shndërruan në problem rajonal dhe ndërkombëtar që,pa dyshim,ishte shumë më lehtë që qysh në fillim të parandalohet,se sa sot të evitohet.Prandaj,kërkesa Juaj që Prishtina e Beogradi të gjejnë një zgjidhje për Veriun e Kosovës përpara se të vendoset për statusin e saj mund të jetë qëllimmire,por pa gjasa që të sjellë ndonjë rendiment,për shkak të gjendjes së krijuar në terren dhe pikëpamjeve shumë të kundërta të palëve. 

Zotërinj ambasadorë,
Në vend të përpjekjeve shterpe për negociata në të cilat Kosova ka hyrë e hendikepuar pa iu siguruar dhe garantuar tërësia territoriale e saj,rekomandojmë angazhimin Tuaj të drejtpërdrejtë dhe të mekanizmave ndërkombëtare të instaluara në Kosovë për menjanimin e pranisë dhe të ndikimit të Beogradit në jetën dhe raportet në Veriun e Kosovës.Ndryshe,po bëhet gjithnjë e më e qartë se Beogradi më shumë se për pozitën e serbëve të Kosovës,synon territorializimin e çështjes serbe për të vazhduar me gllabërimin e tokave dhe të territoreve të Kosovës,pa asnjë bazë të qëndrueshme posesive,as historike dhe as aktuale,ndërkohë që,nga ana tjetër,vazhdon të mbajë të pushtuara komunat shqiptare në Preshevë,Bujanoc e Medvegjë,të cilat historikisht dhe territorialisht i përkasin trungut etnik të Kosovës.

Shkëlqësi,
Shpërbërja e plotë e strukturave paralele të Qeverisë së Serbisë në Veriun e Kosovës dhe shtrirja e kompetencave të institucioneve të Kosovës në atë pjesë të territorit të saj,do të mund të shënonin fillimin e zgjidhjes së problemit,me integrimin e Veriut të Kosovës në tërësinë institucionale të saj.Ndryshe,qëndrimi Juaj se “nuk do të ketë ndarje të Kosovës”do të vazhdojë të tingëllojë si një “parullë politike”.
Populli i Kosovës shpreson në rolin Tuaj shumë të rëndësishëm që keni për fatet e Kosovës dhe llogaritë në gatishmerinë  Tuaj për ta njohur vullnetin politik të tij. Cdo zgjidhje tjetër jashtë vullnetit politik të popullit,do të linte të hapur mundësinë e konfliktit,kundër të cilit Ju, në parim, angazhoheni.
Prishtinë,6 gusht 2006 
Akademik Esat Stavileci                                                               Profesor i Universitetit të  Prishtinës