Zonja e zotërinj,
Kur në leksionin tim të mbajtur në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë,me datë 30 Nëntor 2005,kisha shprehur mendimin se Shqipëria,endë më shumë “i ngjanë fëmijës”që “sapo ka lindur i dobët”,mbahet në jetë “me infusion dhe se pritet prej brezave të ardhshëm,të edukuar dhe të shkolluar,ta nxjerirn nga ajo gjendje,nuk reagoi asnjëri nga studentët në amfiteatrin e mbushur plotë.Në këtë mënyrë konfirmova mendimin tim që,në fakt,përbënte shqetësimin tim, Ku vete Shqipëria sot.

 

Ndodhitë e kohëve të fundit në Kuvendin Popullor,veçanërisht ato të datës 28 Korrik 2006,”më detyruan”që “t’i kthehem”përplasjeve brendashqiptare,për t’iu shtruar një pyetje:sa jeni të ndërgjegjshëm se fytyra e parlamentarit dhe sjellja e tij shpërfaqin fytyrën e shtetit shqiptar?

Deputetë të nderuar,
Sjellja juaj në Kuvendin Popullor nuk dëshmon më vetëm nivelin e ulët të kulturës politike ose mungesën e saj,por më shumë se kjo:nivelin e ulët të atdhedashurisë dhe mungesën e saj,me pasoja të pariparueshme për vëndin dhe ardhmeninë e tij.
Nuk i drejtohem asnjërit,as me emër,as me parti.E imja është që të nxjerr në pah një dukuri të dëmshme;e imja është që të nxis nevojën e “shikimit tuaj në pasqyrë”;e imja është që të vë në lëvizje një ide për një (ri)këndellje tuajën,para se të jetë bërë shumë vonë,kur çdo veprim mund të bëhej irracional.
Dhëmbja është shumë e madhe,shumë më e madhe se përfytyrimi që keni ju për të.Me sjelljet tuaja po dëshmohet se “koha e linçimeve dhe diferencimeve”nuk ka perënduar”.Të kundërtën:ajo po (ri)kthehet,në përmasa më të dëmshme për vendin.Në këtë ,mënyrë,po përsëritet  historia e hidhur,pa i riparuar ende pasojat e rënda të saj.
Jam shumë i ndërgjegjshëm se të votosh ose të mos votosh një anëtar në një trup ,sado i rëndësishëm qoftë ai,është në frymën e demokracisë.Të bësh vërejtje,të pajtohesh ose të mos pajtohesh me një propozim,po ashtu është në kuadër të procedurave demokratike dhe vlerave të saj.Ama,të dhunosh parlamentin dhe të sillesh në mënyrën se si u sollën ca deputetë,nuk ka më rëndësi të cilit krah politik,nuk përbën më vetëm turp të një individi ose të një grupi individësh,por një turp kombëtar që Shqipërisë do t’i kushtojë më shumë se në dukje të parë.Skenat që u panë në kanalet televizive flasin për sjellje të pafalshme,qoftë edhe po qe se  “janë menduar”se bëhen në “mbrojtje të demokracisë”.

Përfaqësues të popullit,
Demokracia nuk është “gjithçka”.Demokracia “të vesh”me të drejta,ama “të përcakton”edhe detyrime.Të parat,pa të dytat,nuk përbëjnë demokracinë dhe ju për këtë duhet të jeni koshientë.
Niveli i qytetërimit dhe demokratizimit të një shoqërie matet dhe tregohet me nivelin e sjelljes brendapërbrenda asaj shoqërie,veçanërisht të figurave qëndrore të saj.Sjelljet e juaja ndodhin me “dritare të hapur”.Ato janë publike.Mendojeni se ku vendosen ato sjellje:në anën e demokracisë apo të keqpërdorimit të saj?Personalitetet publike janë më shumë se “vetja e tyre”dhe për këtë duhen të jenë të ndërgjegjshëm.Ju edhe kësaj rradhe “dëshmuat në vepër”se më shumë se për kombin,luftoni për shkëmbin.
Këtë letër nuk e shkruaj për t’iu mbajtur leksion,sepse ju keni kaluar nëpër ato leksione,por më shumë për t’iu kujtuar ato.Ju shkruaj me qëllimin me të mirë që të bëni përpjekje që emocionet t’i zëvëndësoni me arsyen.Nuk ka një rrugë tjetër të daljes nga kjo gjendje në të cilën “keni rënë”,jo prej ditës së premtë,por edhe më heret.Aty ku gjykojnë emocionet,e jo arsyeja,aty nuk mund të zhvillohet garë e ndershme,aty nuk ka drejtësi.Aty ku nuk ka drejtësi,ka një gjendje kaotike jo shpresëdhënëse.Gjendja është ajo që është dhe vetëm ju mbani përgjegjësi për te,sikurse që vetëm ju jeni ata që mund t’a ndryshoni atë në më të mirë.Por,për të duhet krijuar një klimë të re të raporteve pozitë-opozitë;për këtë duhet një shkallë e tolerancës dhe shumë më shumë se dy të parat,duhet një shkallë më e lartë e përgjegjësisë suaj.
Në kohën “kur ka rënë çmimi juaj”në popull,populli është ai që ju kujton thënien e tij të urtë:”Fjala e ëmbël thrret miq;ajo zbut,pajton armiq”.Do të shtoja edhe një tjetër:”Të armiqësoshesh me tëndin,është njësoj sikur t’i vësh zjarrin shtëpisë sate”.

Zonja dhe zotërinj,
Njerëzit që e njohin historinë dhe që kuptojnë përvojat e saj,në politikë duhen të sillen racionalisht.Më vjen keq që në sjelljen tuaj,edhe pse nuk dyshoj se nuk e njihni historinë dhe nuk keni përvoja të saj,më dhemb përfytyrimi se ne shqiptarët sikur nuk mësuam asgjë nga e kaluara jonë e hidhur,si popull dhe si komb,prandaj,po na ndodhë që të rritemi si popull,e të tkurremi si komb.Shumë ngjarje që kanë ndodhur me ne shqiptarët në të kaluarën,kërkojnë prej nesh që të jemi shumë të vëmendshëm për të ardhmen.Unitetin aq shumë të kërkuar mund ta krijojë vetëm synimi për të ecur rrugës së ardhmenisë.
Edhe dy fjalë,sepse po ju shkruaj nga Kosova e cila ndodhet para veprimeve më dramatike dhe kritike.Kosovës i duhet ndihma e Shqipërisë;e një Shqipërie demokratikisht të ndërtuar,shoqërisht të civilizuar  dhe kombëtarisht të mobilizuar.Ju lutem keni parasysh një fakt se pa qenë mirë në Shqipëri,vështirë se mund të jetë mirë në Kosovë.