-Z.Ministër,jo pavarësi “e kushtëzuar”,po pavarësi e plotë,me mundësinë e mbështetjes dhe të fuqizimit nga bashkësia ndërkombëtare-

SHQIPTARET,SADO “TE NDARE”DUHET “TE ECIN TE BASHKUAR”

Ditë më parë e mbylla një shkrim timin me pyetjen:deri kur do të sillemi sikur të ishim pesë popuj dhe të kishim pesë çështje shqiptare?Aludoja,në prononcimin e z.Besnik Mustafaj,Ministrit  të  Jashtëm të  shtetit shqiptar në Uashington dhe në të gjitha prononcimet e kohëve të fundit në lidhje me të ardhmen e Kosovës dhe të çështjes shqiptare në përgjithësi.

Në këtë shkrim po shtroj një pyetje tjetër,po që ka një lidhje logjike me të parën:pse nuk e unifikojmë fjalorin politik shqiptar rreth kërkesave që shtrojmë para qendrave ndërkombëtare të vendosjes në lidhje me të ardhmen e Kosovës dhe të çështjes shqiptare, për të vazhduar edhe me një pyetje të dytë që,në të vërtetë,është produkt i një aforizmi tim shumë të pëlqyer prej të tjerëve(sa që një kandidat i pavarur në zgjedhjet e fundit në Kosovë e kishte “përzgjedhur”si “slogan të vetin”Të ulemi në ‘sofra kombëtare’përpara se të bisedojmë në tryeza ndërkombëtare”?

Shqiptarëve, edhe në të kaluarën,edhe sot,po u mungon një “komunikim i ndërvetshëm”,prandaj ata duhet “të llogarisin”edhe në pasojat e mundshme të dëmshme për kauzën e tyre në mungesë të komunikimit të ndërvetshëm.Ndryshe,nuk do të ndodhte që Ministri i Jashtëm Shqiptar,z.Besnik Mustafaj,ndaj të cilit kam konsideratë të lartë,të paraqitej në OKB më një “kërkesë”që,në thelb,nuk shpreh plotësisht vullnetin e popullit të Kosovës për të ardhmen  e tij.

Z.Ministër,mund të ketë menduar se ky është “fjalori diplomatik”,meqë kërkesa e tij nuk dallon,në thelb,nga “gatishmëria”e bashkësisë ndërkombëtare për “t’i ofruar Kosovës”një “pavarësi të kushtëzuar”.Ajo që më shqetëson është se sikur nuk e kemi parasysh se sa është e gjerë mundësia e “kushtëzimeve” dhe sa mund të jenë të realizueshme ato,po qe se i kapërcejnë caqet e realës,sikur që kishte ndodhur me përcaktimin e të ashtuquajturave “standarde për Kosovën”.

Unë mund “të bashkohem”me mendimin e Z.Ministër se kjo mund të jetë “zgjidhja më optimale”që ofron ose që do të ofrojë bashkësia ndërkombëtare për të ardhmen e Kosovës,po nuk mund asesi të bashkohem me mendimin e tij të (ri)deklaruar,pra të (ri)konfirmuar për agjencinë franceze të lajmeve(AFP)se “pavarësia e kushtëzuar është zgjidhja e  vetme që Kosovën do ta nxirrte nga status qu-oja dhe që mund të sigurojë zhvillim paqësor  dhe stabilitet për tërë rajonin”,po sikurse që nuk mundem asesi të bashkohem me “dëshirën e tij”që,në të vërtetë,e shpreh në emër të shtetit shqiptar,që “me të gjitha mjetet të inkurarojë autoritetet në Prishtinë që të kenë një dialog intensiv me Beogradin”.

Shqiptarët kanë kaluar nëpër histori shumë të hidhur që të mos jenë shumë të vëmendshëm për të ardhmen e tyre,si popull dhe si komb.Ata duhet të jenë shumë të ndërgjegjshëm se këto janë “kohë dramatike”,me mundësin e “marrjes së vendimeve afatgjate”.Vendimet “e mëdha”,ç’është e vërteta,edhe mirren për periudha të mëdha kohore.Duhet të jemi të kujdesshëm se si do të pozicionohemi sot si popull dhe si komb,sepse nga ai pozicionim do të varet e nesërmja jonë.

Prandaj,një prej porosive të këtij shkrimi është që jo vetëm të ndryshojmë fjalorin politik shqiptar,por edhe ta unifikojmë atë.Unifikimin e fjalorit politik nuk do ta arrijmë,për derisa nuk i bashkërendojmë veprimet dhe për “çështjet madhore”nuk ndërtojmë qëndrime të përbashkëta dhe për derisa nuk angazhohemi për mbështetjen e tyre.

Shqiptarët,sado “të ndarë”duhet “të ecin të bashkuar”.Në këtë “ecje”që nuk do të jetë as e lehtë dhe as e pamundimshme,veprim i parë duhet të jetë pikërisht përpjekja ,të shprehem figurativisht për “t’iu përmbajtur një fjalori”, meqë,edhe ashtu,kemi një gjuhë.E konsideroj si të  domosdoshëm për momentin nëpër të cilin po kalojmë harmonizimin e fjalorit politik,në mënyrë që të jemi më të qartë në kërkesat tona.E theksoj këtë për shkak se ne  shqiptarët,përkundër faktit se flasim për çështjen e njëjtë,shprehim mendime të papajtueshme.Prandaj,nuk na lejohet që të flasim me modele dhe me formula  të cilat,në mos asgjë tjetër,do të mund të dëmtonin tërësinë e çështjes.Sugjeroj që të mënjanojmë nga fjalori deklarimet e paharmonizuara politike dhe të angazhohemi në harmonizimin e qëndrimeve,në mënyrë që të paraqitemi si një komb i  formësuar politikisht.Ndryshe,po qe se analistë ndërkombëtarë të shquar,po sikurse edhe ndonjë diplomat ndërkombëtar i shquar ,nuk e heqin “prej gojës”pavarësinë e Kosovës,në kuptimin e plotë të saj,nuk na falet dhe nuk do të na falet neve kur e bëjmë ose kur do ta bëjmë këtë.

Nëse me të madhe thuhet se e ardhmja e Kosovës është Evropa dhe integrimi i saj në të,si ka mundësi që të bëhet kjo një realitet po qe se Kosova nuk do ta rrumbullakësojë këtë aspiratë nëpërmjet të qenies së saj një shtet i pavarur dhe sovran dhe në këtë mënyrë të përjashtojë çdo mundësi që kjo të ndodhë “nën mantelin e Ballkanit”ose,siç shprehem ndonjëherë,”me karrocën e dikujt tjetër”.E theksoj këtë moment për shkak “të rrezikut”për të cilin “dëgjohet gjithandej”se në Ballkan ka frikë nga lufta dhe është e mundshme që të ndodhin koncesione në ndërtimin e ri politik të tij.

Çështja e Kosovës,në thelb,paraqet çështje të vetëvendosjes së popullit të saj.Prandaj,askush nuk ka asnjë mandat që të deklarohet ndryshe prej vullnetit të popullit ose që “ta cungojë atë”.Nëse dikush mendon se ai “cungim i vullnetit”të popullit është “kompomisi”që duhet të ndodhë më Kosovën dhe të ardhmen e saj,është gabim i rëndë që mund të dëmtojë jo vetëm Kosovën,por gjithë çështjen shqiptare,duke pasur parasysh aspiratat shekullore të kombit shqiptar për t’u bashkuar që,shikuar nga këndi i “vrojtimeve politike” sikur paraqiten të gabuara ose nuk arsyetohen.Nuk ka asgjë të keqe nëse një mundësi nuk realizohet,por ka shumë të këqija po qe se bartësit e mundësisë vetë e hudhin atë si të paakceptueshme,qoftë edhe si proces .

Është kohë e fundit që shqiptarët të ndërtojnë një qëndrim për të ardhmen e tyre.Ata duhet të jenë shumë të përgjegjshëm përballë proceseve politike që po zhvillohen në hapësirën ku janë të vendosur,sepse pikërisht ndërlikueshmëria e atyre proceseve kërkon shumë urti politike dhe shkathtësi diplomatike,me të cilat nuk mund të krenohemi si popull dhe si komb.Është kjo kohë kur diplomacia shqiptare duhet të dëshmojë vetën,vitalitetin dhe vlerën e vet.Bashkërendimi i veprimeve të shqiptarëve ishte dhe mbetet pika më e dobtë që ka dobësuar dhe vazhdon ta dobësojë politikën  kombëtare të tyre.Është shumë i rëndësishëm rendi i veprimeve,në mënyrë që të “ecim bashkë me kohën”.Shqiptarët,më në fund,duhet të kuptojnë se “vetëm me kohë mund të fitohet koha”.Pavarësisht nga idetë,mendimet dhe pikëpamjet që mund të jenë të ndryshme,shqiptarëve u duhet uniteti i veprimeve.Nuk duhet të lejojnë që në kohën e nevojës për mobilizim të shtuar dhe të  gjithëmbarshëm,të shpartallohen kombëtarisht.Duhet t’i kthehen  vlerave të njëmendëta të kombit.Këtë e kanë për borxh të cilin duhet ta paguajnë.

Ecja “bashkë”duhet të jetë “ecje me realitetin”që na rrethon për të marrë një qëndrim të drejtë ndaj kauzës kombëtare.Duhet të bashkohemi në projekte kombëtare,në mënyrë që të mos na lëndohet “palca kurrizore e kombit”.Për këtë kërkohet një shkallë më e lartë e vetëdijësimit kombëtar e cila,si rregull,na ka munguar në kohën e “kthesave më të mëdha historike”.Detyrat më të mëdha dhe me më përgjegjësi shtrohen për diplomacinë shqiptare.Ajo do të duhej të përkujdesej për të mbrojtur të drejtat dhe interesat kombëtare të shqiptarëve kudo që gjinden.Diplomacia shqiptare në mënyrë të veçantë do të duhej t’i ruhej “kurtheve”të vendeve fqinje.Diplomacia shqiptare mund dhe do të duhej të bënte më shumë për pozitën e shqiptarëve në Ballkan.”Në rend të ditës”është Kosova,po janë edhe shumë segmente të tjera dhe përbërës të tjerë të çështjes së pazgjidhur shqiptare. Rrethanat e tashme politike në Ballkan janë me shumë të panjohura. Diplomacia shqiptare do të duhej të kuptonte skenaret që “qarkullojnë” dhe hartat politike që “vizatohen”në të,në mënyrë që shqiptarët të mos dalin humbës prej tyre.

Sado që çështja e Kosovës dhe çështja shqiptare në përgjithësi “do të varen”nga qëndrimet e subjekteve me përgjegjësi të lartë ndërkombëtare të cilat,në parim,më shumë interesohen për “ruajtjen e gjendjes”se sa për “ndryshimin radikal”të saj,zgjidhja e çështjes,kryesisht dhe në rradhë të parë,do të varet edhe nga “këmbëngulësia”e shqiptarëve për t’i shndërrua në realitet aspiratat e veta.Kosova është në një “udhëkryq”nga i cili duhet të drejtohet në rrugën së cilës “i shihet fundi”.