Pa asnjë pretendim që të bëhem prokuror ose gjyqtar,e avokat jo se jo, i asnjerës nga partitë dhe i as njerit lider,ndiej nevojën që të shfaq disa mendime që përqendrohen në rritjen e shkallës së vetëdijësimit dhe të përgjegjësisë së votuesve shqiptarë për t’u përcaktuar me votën e tyre për ata liderë që,përpara se për partinë, mendojnë për popullin dhe kombin,për ata që kanë parasysh objektivat, për ata që mbështeten në themelësinë praktike të tyre, logjikshmërinë, arsyeshmërinë,konzistentitetin,koheritetin,realshmërinë dhe për strategjinë e bërjes së Shqipërisë një shtet me parime dhe vlera demokratike.

 

Në mengjesin e së dielës,kur “të niseni në votime”,ju lutëm mbani parasysh një këshillë:ajo që nuk do të dëshiroja të përsërisnin shqiptarët,janë gabimet e së kaluarës.Shqiptrët kanë bërë shumë gabime në të kaluarën që të mos mësojnë prej tyre.                                               
Votues të nderuar,të dielën filloni garën me kohën. Koha është,në fakt,siç shprehej një mendimtar i madh,”nga të gjithë kritikët-më i madhi,më gjeniali dhe më i pagabueshmi”.Secila kohë,pra edhe kjo në të cilën jetoni ju votues të  nderuar,ka të vërtetën e vet,po sikurse që edhe secili njeri që ka fytyrën e vet.E vërteta e kësaj kohe është se shqiptarët ende “nuk ecin me kohën”,biles ngelin me kohën.Gjykimi është i qartë:kombi që “nuk ecën me kohën”e humbas kohën.Shqiptarët “nuk kanë kohë për të humbur”.
Ne shqiptarët dimë se koha ecën,mirëpo ne sikur nuk e shohim atë,prandaj dhe “nuk ecim me të”.Më në fund,duhet të kuptojmë se “vetëm me kohë mund të fitohet koha” (Only through time is conquered). 
Për shqiptarët,kohët e kaluara,nuk janë tjetër,përveç se përvoja të hidhura.Shqiptarët dëshirojnë që kohët e ardhshme të mos jenë tjetër përveç se “të ëmbëla”.Mirëpo,koha nuk vjen vetvetiu “e ëmbël”.Të ëmbël atë e bëjnë njerëzit.Shqiptarët kanë mundësinë që “ta bëjnë kohën e vet më të ëmbël”. 
Në mengjesin e së dielës ,kur “të niseni në votime”,ju lutëm mbani parasysh edhe një këshillë tjetër:çdo popull është zot i territorit të vet dhe ka të drejtë të vendosë lirisht për fatin e vet.Votues i nderuar,Ti mund ta bësh këtë të dielën  me votën Tënde.Më e madhe se dëshira duhet të jetë gatishmëria për ta bërë këtë një realitet. Menjanimi i shkaqeve të krizës qeverisëse në Shqipëri nuk mund të bëhet pa prodhimin e mundësive optimale për përballimin e tyre.
Në mengjesin e së dielës ,kur “të niseni në votime”,votues të nderuar mos harroni,në asnjë moment,ju lutëm,se i përkisni një populli dhe një kombi,se keni një histori dhe një gjuhë,një traditë dhe një trashëgimi,një civilizim dhe një kulturë që burojnë nga një gjak.Clirohuni,ju lutëm,sa të jetë e mundshme,nga “krahinarizmat”që na “kanë larguar shumë”njërin prej tjetrit;çlirohuni,ju lutëm,sa të jetë e mundshme nga “konfesionet”,sepse ndarjet janë shumë më të dhimbshme se bashkimi;çlirohuni,ju lutëm,nga “ideologjitë”që partinë “na kanë vënë mbi shtetin”.I takon së kaluarës fajësimi i historisë dhe Evropës.Në ato fajësime nuk ka asgjë të kontestueshme.Por,ardhmeninë e kemi në duart tona dhe këtë duhet të dimë ta shfrytëzojmë.Mos të “rrënojmë themele”kur të tjerët ngrehin kulme.Mos “të mbajmë fjalime”,por ta mbajmë fjalën.Gabimet “e tjetrit”mos t’i vëmë përpara që t’i shohim,e gabime tona mbrapa që t’i fshehim.Ndoshta pikërisht ditën e diel është dita “për t’i ndryshuar raportet”nëpër të cilat kemi kaluar deri dje njëri me tjetrin dhe të gjithë bashkërisht.T’i përballojmë mëritë dhe hasmeritë e së kaluarës dhe të përqendrohemi në ndërtimin e së ardhmes.  Eshtë e vërtetë se jeta mund të kuptohet “duke shikuar mbrapa”,por neve  sot na duhet më shumë “shikimi përpara”  Të investojmë në kuadro me guxim intelektual,me maturi politike dhe shkathtësi diplomatike.                               
Shqiptarët “janë të kthyer me sy e veshë”nga Shqipëria,nga ju votues të nderuar.Duke dhënë votën tuaj sot,ju do t’i përgjigjeni pyetjes se ku do të jetë Shqipëria nesër.
E para,prej jush,votues të nderuar,pritet që të votoni për shtetin juridik,i cili,në kuptimin e mirëfilltë të tij,shprehet me nënshtrim të organeve shtetërore drejtësisë;me barazi të të gjithëve para ligjit;me gjyqësi të pavarur;me procedurë të paanshme; me ekzistim të mjeteve efikase për mbrojtjen e shtetasve;me mbështetje juridike dhe kontroll të akteve administrative dhe me mbikëqyrje të organeve administrative dhe përgjegjësi të tyre për punë të paligjshme që,në fakt,paraqesin komponentët themelore të parimit të ligjshmërisë,një parimi të pashmangshëm në të gjitha shtetet ku sundon e drejta dhe drejtësia.
E dyta, prej jush, votues të nderuar,pritet që me votën tuaj të përcaktoheni për vlerat e shtetit juridik,të cilat do të mund të siguroheshin:me rend në ndërtimin e sistemit shumëpartiak;me ndarje të pushtetit;me përkufizim të pushtetit shtetëror dhe të së drejtës;me treg të lirë;me pronësi private etj.
E treta,prej jush,votues të nderuar,pritet që të keni ndjenjën se shteti pa pushtet nuk mund të ekzistojë,por se edhe ushtrimi i pushtetit  “nëpërmjet partisë”është në parim në kundërshtim me çfarëdo forme të ekzistimit të demokracisë.
E katërta,prej jush,votues të nderuar,pritet që nga e kaluara të keni kuptuar se pa rendin e ri demokratik nuk mund të bëhen ndryshime të mëdha sistemore në funksionin e shtetit,i cili do t’i përgjigjej ekonomisë së tregut dhe mëvetësisë së subjekteve ekonomike,në njërën anë,dhe njëkohësisht,mbrojtjes së demokracisë politike,në anën tjetër.
E pesta,prej jush,votues të nderuar,pritet ndërgjegjësim i lartë kombëtar për “t’ia kthyer”shtetasve krenarinë kombëtare e të qenët shqiptarë,për ta mbrojtur  palcën kurrizore të kombit.Ta duash atdheun është gjëja më elementare që kërkohet prej shtetasve  shqiptarë.E kaluara ka provuar se të jesh shqiptar nuk ka mjaftuar që ta duash Shqipërinë.
Votues të nderuar shqiptarë,mbi supat tuaja ka rënë peshë e rëndë e përgjegjësisë  Ushqehem me shpresë se e keni kuptuar peshën e problemit që e rëndon sot popullin dhe kombin shqiptar.Nëse deri dje keni menduar “shlirshëm”,këtë nuk mund ta bëni edhe sot.                                                Shqipërisë i duhet një “rirreshtim forcash”në rrafshin kombëtar.Ajo do të duhej të angazhohej fuqishëm për pozitën e shqiptarëve jashtë kufijve të tashëm administrativë të saj.Cështja e pazgjidhur shqiptare paraqet sot një prej problemeve qendrore në Ballkan.Nëse ka të vërtetë në këtë gjykim,atëherë përfundimi është i qartë:pa një zgjidhje të pranueshme të çështjes shqiptare nuk do të mund të ndërtohet paqe në Ballkan.Ballkani vazhdon “të drejtohet”nga jashtë,ndërsa brendapërbrenda tij janë të mundshme konflikte natyrash dhe intensitetesh të ndryshme,për shkak të kryqëzimit të shumë interesave politike në të.Prandaj,shqiptarët,duke mos qenë “të rrethuar me fqinjësi të mirë”duhet të mendojnë për ndërtimin e ardhmenisë së tyre.Puna e parë që do të duhej të bënin shqiptarët është që ta vështrojnë dhe ta shtrojnë çështjen shqiptare si një dhe të bashkuar.Po qe se këtë nuk e bëjnë shqiptarët,nuk mund të pritet që përpara tyre,ta bëjnë të tjerët.Madje,edhe po qe se e bëjnë të tjerët,do ta bëjnë përpara në dëm të tyre se sa në interes të tyre.
Votues të nderuar shqiptarë,me votën tuaj  ju merrni përsipër pjesën tuaj të detyrës për t’i ndihmuar Shqipërisë dhe nëpërmjet saj,çështjes shqiptare,sipas një të vërtete se pa qenë mirë në Shqipëri,nuk do të jetë mirë me shqiptarët e shpërndarë në shumë shtete.Eshtë detyrë e juaja që Shqipërinë “t’a nxirrni”nga një udhëkryq në të cilin është ndodhur.Keni kujdes,ju lutëm:demokracinë Shqipërisë nuk mund “t’ia sjellë”askush tjetër,përveç se populli i saj.Secili shtet e ndërton demokracinë në pajtim me mundësitë që krijon dhe,para së gjithash,me shkallën e vetëdijësimit të popullit,për ta kuptuar dhe,për ta ndërtuar atë në jetën e vet.Standartet demokratike të një vendi ose të më shumë vendeve nuk mund të vlejnë si stantarte të përgjithshme për të uniformuar vendet e tjera.Shqipëria ndien nevojën për “demokracinë shqiptare”.                                               

Votues të nderuar shqiptarë,kur “të niseni” në votime në mengjesin e së dielës,kini parasysh faktin se konservimi i gjendjeve dhe stereotipeve të vjetëruara dhe për botën e civilizuar njëherë e gjithmonë të perënduara,do ta kthejë prapa rrotën e historisë.Kur historia kthehet, ajo vetëm se përsëritet.Nuk e besoj se dikush prej jush  dëshiron të ndodh kthimi i historisë dhe përsëritja e saj për shqiptarët.
Në Shqipëri ndihet nevoja për ndryshime të mëdha  Pa ndryshime të mëdha nuk mund të priten realizime të mëdha.Në Shqipëri ndihet nevojë për “udhë  të reja”.Ato udhë mund t’i kërkojë dhe mund t’i gjejë një klasë politike që do të mund “të përmbushte”hapësirat e krijuara dhe që do të mund “të përgjigjej”në pyetjet e hapura.Mos votoni, ju lutem, për ata liderë që politikën e kanë kuptuar dhe e kanë shndërruar në një biznes privat.Po përsëris një mendim të shfaqur edhe më herët.Në politikë “dobia e perceptuar keq”e individit shndërrohet në dëm të papërmisueshëm kolektiv. Nuk e besoj, votues të nderuar, se kjo është dëshira juaj.